Kryetari i PD, Sali Berisha akuzoi Edi Ramën nga Valiasi se hedh tallava mbi mjerimin e shqiptarëve.
Lideri i opozitës kujtoi raportin e OSBE ku thuhej se Rama kishte të fshehura në llogari off shore 200 milionë euro.
"Kjo fushatë është më e veçanta e jetës time, por edhe e jetës tuaja. Kemi kaluar dhjetëra fushata, por kurrë ndonjëherë ne nuk kemi pasur një fushatë në të cilën ta kemi prekur, ndjerë, përjetuar, me dhimbjen më të madhe rrezikun e tmerrshëm që i kanoset sot Shqipërisë, sepse në vijmë në këtë fushatë pasi njeriu që erdhi me dajre në pushtet dhe tani përdridhet me tallava para jush, largoi nga Shqipëria, me keqpërdorimin e pushtetit që mori, 1 milionë shqiptarë në 8 vite. Largoi nga Shqipëria 800 mijë të rinj, shkretoi vendin.
Ne mblidhemi sot në këtë fushatë, pasi 60% e shqiptarëve ndjehen dhe janë më të varfër se 8 vite më parë. Dhe kjo, jo se nuk u krijuan të ardhura, kjo jo se nuk u mor borxh. Taksat u dyfishuan, borxhi u rrit të paktën pothuajse me 10-herë. Por problemi është se të ardhurat që u mblodhën, se borxhi që u mor nuk u përdor për mirëqenien tuaj, nuk u përdoru për rritjen e pensioneve, rritjen e rrogave, për punësim, për shërbime më të mira.
Por ato në masën 70-90% me dokumente zyrtare, u vodhën, u vodhën, u vodhën. Pra ne mblidhemi sot si njerëzit më të vjedhur të Europës dhe botës. Ne mblidhemi sot në një kohë kur vendi vitin e kaluar ka patur një buxhet prej rreth 5 miliardë euro nga të cilat vetëm 700 mln janë rroga e megjithatë sipas deklaratës së Bankës Botërore të dy ditëve më parë është vendi i tmerrit dhe i ferrit, në kuptimin që; vetëm 20% e atyre që janë për ndihmë ekonomike, pra që kanë të ardhura nën 1 dollarë për frymë, vetëm 20% e tyre marrin ndihmë ekonomike.
Çfarë ndodh kështu miqtë e mi? Kullat rrokin qiellin, Edi Rama që ju vjen këtu me tallava dhe erdhi në pushtet me dajre, fluturon me avion në dispozicion me dhomë gjumi, se lodhet shumë. Blen për oborrin e kryeministrisë, vazon 4 milione euro, si askush tjetër. Edi Rama firmos 420 mln euro djegësa që nuk ekzistojnë dhe u merr secilit prej jush 29 euro për ton mbetjesh që depozitohet në fushën e Sharrës, në një kohë kur kontrata thotë se mbetjet që depozitohen, për to duhet të paguhen 11 euro dhe ai i tarifon ato, njëlloj sikur digjen. Po pse, sepse ka firmos për ndërmarrjen e tij, ai tarifon se ato para i ndan me Erion Veliajn dhe Kipen e le këtu të vjedhë sa të dojë, i depoziton në banka offshore, apo në Teheran.
Edi Rama nuk mund të ketë ndjenja për ju, se ai erdhi në pushtet si zotëria 20%. OSBE e denoncoi atë para shqiptarëve, i deklaroi se ke 200 mln euro në llogaritë offshore. Nuk guxoi kurrë ta kundërshtojë, sepse e dinte se do i dilnin faturat. Edi Rama tani përpiqet të hedhë valle mbi varfërinë tuaj, mbi mjerimin e shqiptarëve, përpiqet të ju mashtrojë më tallava. Njeriu që ka mashtruar shqiptarët për çdo gjë, tani përsëri beson se me zorrën qorre në gojë dhe me tallavanë dhe vithet në tallava do mund të mashtrojë përsëri shqiptarët", tha Berisha.