Në fjalimin programatik që mbajti për Evropën në gusht 2022 në Pragë, kancelari gjerman Olaf Scholz tha se "qendra e Evropës po lëviz drejt Lindjes." Analistë të ndryshëm që kanë folur para dhe pas këtij fjalimi kanë mbështetur të njëjtën ide.
Me këtë kuptohet se ndikimi i shteteve të Evropës qendrore dhe Lindore, si Polonisë, Shteteve Baltike, por edhe i Suedisë në veri është forcuar ndjeshëm pas shpërthimit të luftës në Ukrainë. Kemi një forcim moral, legjitimim më të madh të pozicioneve të tyre politike. Pasi shihet i konfirmuar paralajmërimi që bënin ato prej vitesh për natyrën luftënxitëse të Putinit.
Njëkohësisht, shtetet më të mëdha të BE, Gjermania, Franca dhe Italia e shohin veten si objekte kritikash në BE. Këto shtete u gabuan në vlerësimin e Putinit. Gjermania nuk besoi që Putini do ta trondiste rendin botëror me një sulm masiv për të ndryshuar me forcë kufijtë në Evropë. Ajo besoi se Rusia do t'i respektonte në çdo situatë marrëveshjet e favorshme për furnizim me gaz e naftë; ngjashëm u gjykua edhe në Itali, ku mbizotëroi gjatë tendenca për ta parë biznesin me Rusinë të ndarë nga politika. Kurse Franca u gabua për shkak të një admirimi tradicional për madhësinë e Rusisë.
Zhvendosja e gravitetit drejt Lindjes në praktikë
Nga njëra anë kemi një zhvendosje ushtarake. Ka ndodhur një zhvendosje masive e trupave të NATO-s në shtetet lindore të BE. Numrin më të madh të ushtarëve NATO-ja e ka dislokuar tani në Poloni (10.500 ushtarë), që pasohet nga Lituania (4000 ushtarë), Bullgaria (3.300 ushtarë), Rumania (3.300 ushtarë), Sllovakia (2100 ushtarë), Estonia (2000 ushtarë), Letonia (1700 ushtarë), Hungaria (800 ushtarë). SHBA kanë vendosur në Poloni një garnizon të përhershëm ushtarak dhe do të vendosin atje edhe një nga komandat e tyre për Evropën.
Nga ana tjetër, shtetet e Evropës lindore janë bërë më qendrore, pasi stabiliteti dhe çështjet e sigurisë së tyre janë tani në qendër të vëmendjes së Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Rrezikimi i këtyre shteteve në kufi të drejtpërdrejtë me Rusinë shihet si rrezikim i projektit demokratizues të Perëndimit.
Te këto shtete vetë, situata e re ka aktivizuar vendosmërinë për të mos u kënaqur me rolin në periferi të BE dhe për të ndikuar më fort në komunitet. Janë Polonia e Shtetet Baltike, Estonia, Letonia dhe Lituania që ngulin këmbë për të shkuar tani çdo herë një hap edhe më tej në armatimin perëndimor të Ukrainës.
Në këtë kuadër, me shpërthimin e luftës në Ukrainë u rrit „brenda natës" rëndësia e Polonisë për BE. Kjo lidhet me faktin se"të gjitha transportet për në Ukrainë duhet të kalojnë përmes Polonisë,”i tha DW Marek Madej, politolog në Universitetin e Varshavës.
Polonia (39,9 milionë banorë) është shteti që ka pranuar numrin më të madh të refugjatëve ukrainas në territorin e saj, mbi 1,4 milionë. Ndihma e Polonisë për Ukrainën vitin e kaluar ishte masive, 7,5 miliardë euro (Për krahasim: Gjermania, 84 milionë banorë, i ka vënë në dispozicion Ukrainës 14 miliardë euro si ndihmë ushtarake, ekonomike e rindërtimi). Gjithashtu, Polonia po e ndihmon ushtarakisht Ukrainën. Vetë Polonia po ngre një ushtri të fuqishme, duke investuar 3% të produktit të brendshëm bruto për ushtrinë.
Si vlerësim për të gjitha këto, ky shtet në kufi me Rusinë u vizitua dy herë brenda 11 muajsh nga Presidenti i SHBA, Joe Biden.
Me luftën në Ukrainë, edhe vëmendja evropiane u zhvendos nga fokusi i imponuar prej politikës së brendshme polake që prej vitit 2015: nga pavarësia e drejtësisë dhe ndarja e pushteteve në Poloni. Për momentin duket se është harruar edhe refuzimi i ashpër i refugjatëve gati të të gjithë botës prej Polonisë. Me këtë qëndrim, qeveria polake thoshte se mbronte edhe Perëndimin e krishterë nga vërshimi i refugjatëve nga bota. Polonia ka fituar tani një legjitimitet që nuk e ka pasur.
Situata e re dhe strukturat vendimmarrëse në BE
Kryeministri polak Mateusz Morawiecki ka deklaruar se e sheh Evropën "para një kthese historike”. Edhe për këtë arsye, qeveria polake po përpiqet për një riorganizim të qendrave të pushtetit në BE - duke mbajtur në mend edhe historinë. Qeveria polake ka intensifikuar kontaktet me shtete lindore si Shtetet Baltike, edhe me Rumaninë e Finlandën, për të krijuar me to një grup të veçantë. Janë kryesisht shtete të prekura nga Pakti Hitler-Stalin i vitit 1939 (me të cilin u hap rruga për sulmin nazist kundër Polonisë dhe për ndarjen në sfera influence të shteteve të Evropës qendrore dhe lindore.)
Me grupimet e reja qeveria polake dëshiron të rrisë ndikimin në BE, të drejtuar sipas kryeministrit Morawiecki nga Gjermania dhe Franca, gjë që të cilën Polonia nuk e dëshiron. Megjithatë jo të gjitha shtetet që mbledh Polonia kanë këtë synim.
Nga ana tjetër, Polonia e sheh veten më gjerë edhe si lidere të shteteve ish-komuniste të lindjes. Në një konferencë shtypi në Uashington me zëvendëspresidenten Kamala Harris në fillim të prillit, kryeministri polak Morawiecki tha "se ka një Evropë të re – një Evropë që mban mend se çfarë ishte komunizmi rus. Polonia është lideri i kësaj Europe të re." Megjithatë, aleanca më e njohur postkomuniste, aleanca e Vishegradit, e përbërë nga Polonia, Çekia, Sllovakia dhe Hungaria që prej shpërthimit të luftës në Ukrainë nuk funksionon më. Kjo kryesisht për shkak të qëndrimit pro Rusisë të Hungarisë, por edhe të dallimit në qëndrime të shteteve të tjera.
Përfytyrimet e Polonisë për Evropën
Për shkak të peshës faktike të Polonisë në Evropën Qendrore dhe Lindore, qeveria polake e sheh veten si lidere të këtij rajoni. Përndryshe, në bazë të deklaratave të kryeministrit Morawiecki qeveria polake e përfytyron Evropën si aleancë shtetesh nacionale, p.sh. si aleancë Gjermani-Francë-Poloni-Ukrainë; e si aleancë Poloni-Rumani-Ukrainë. Këtë kryeministri polak e propozoi në fund të marsit në Bukuresht. Morawiecki përfaqëson partinë E Drejta dhe Drejtësia, parti me shanse deri tani të pasigurta për t'i rifituar zgjedhjet në vjeshtë.
Konceptet polake për Evropën dallohen nga ato perëndimore
Në 20 mars Morawiecki mbajti një fjalim themelor për Evropën, në Gjermani, në universitetin e Heidelbergut. Në të, ecjen drejt federalizimit të Evropës nga BE, që e mbrojnë Gjermania, Franca dhe shumë shtete të tjera ai e quajti "iluzore dhe utopike". Në fjalimin e tij ai ngriti lart shtetin nacional. Rolf Nickel, ish-ambasador i RFGJ në Varshavë dhe autor i librit "Feinde Fremde Freunde: Polen und die Deutschen" (Armiq, të huaj, miq: Polakët dhe gjermanët), e gjen shpjegimin për këtë qëndrim polak në vështirësitë që ka pasur Polonia në histori për të mbrojtur shtetin e saj nacional.
Pozicioni kundër integrimit evropian është njëri nga dallimet midis qëndrimeve aktuale polake dhe frymës së përgjithshme në BE. Fusha e dytë ku qëndrimet polake, por edhe të Shteteve Baltike dallohen kryesisht nga konceptet gjermano-franceze për Evropën është qëndrimi ndaj Rusisë.
Në përfytyrimet për të ardhmen e Evropës, pjesa dërrmuese e shteteve të BE, Gjermania, Franca dhe Italia e shohin Rusinë si shtet të madh, me të cilin Evropa do të ketë të bëjë. Kurse Polonia, Shtetet Baltike dhe ndonjë shtet tjetër janë për izolim të Rusisë dhe për kufizim të kontakteve me këtë shtet në shumë nivele.
Zhvendosja e qendrës së gravitetit përballë faktorëve vendimtarë
Polonia dhe Shtetet Baltike merren tani më seriozisht e dëgjohen me vëmendje në Bruksel. Burime nga BE thonë se përfaqësues të këtyre shteteve flasin me vetëbesim në forumet evropiane. Ato respektohen edhe sepse janë shtetet potencialisht më të rrezikuara.
Si Polonia, ashtu edhe shtetet më të vogla baltike aktualisht vlerësohen më shumë se pesha reale që ato kanë në politikën botërore. Parametrat ekonomikë dhe politikë, kapacitetet e shteteve lindore, "hardware" i tyre si shtete, janë natyrisht të njëjta si para shpërthimit të luftës në Ukrainë.
Zhvendosja e re gjeografike, zgjerimi i ri i BE në Lindje ende nuk ka ndodhur. Anëtarësimi në BE i shteteve si Ukraina, Gjeorgjia e Moldavia është larg. Me Ukrainën, megjithatë BE dhe Nato-ja po hartojnë programe intensive mbështetjeje. Synimi është që Ukraina të marrë mbështetje maksimale, edhe pa u anëtarësuar në BE.
Megjithë zhvendosjen maksimale të vëmendjes te shtetet në lindje të Evropës: krahas luftës vetëmbrojtëse të Ukrainës mbeten ndihmat ushtarake dhe ekonomike të SHBA, por edhe të Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Spanjës, si dhe Britanisë së madhe për Ukrainën si dhe qëndrimi i tyre ndaj Rusisë që do të ndikojnë rrugën drejt paqes. Kjo për shkak të kapaciteteve të mëdha ekonomike, politike dhe ushtarake të këtyre shteteve.
Në Evropën e pasluftës, kur gjykimet të jenë çliruar nga presionet alarmuese ushtarake dhe ekonomike aktuale, do të shihet se ku e ka çuar përfundimisht Bashkimin Evropian e Evropën lufta e sotme