Organizata Gazetarët pa Kufij, në Treguesin Botëror të Lirisë së Shtypit, radhiti Shqipërinë dhe Kosovën në mesin e vendeve problematike. Megjithatë sipas indeksit që u publikua të martën, edhe Shqipëria, edhe Kosova kanë shënuar rritje në krahasim me një vit më parë, njofton Zëri i Amerikës.
Në treguesin që përfshin 180 vende, Shqipëria radhitet në vendin e 96-të, duke shënuar një rritje prej 7 vendesh krahasuar me një vit më parë kur radhitej e 103-a. Në vitin 2021, Shqipëria radhitej në vendin e 83-të.
Në raport thuhet se Prokuroria vendosi kufizime disproporcionale për mbulimin e sulmit kibernetik nga Irani.
Kosova radhitet në vendin e 56-të, një rritje prej 5 vendesh në krahasim me vitin e kaluar kur radhitej në vendin e 61-të, ndërsa një vit më herët ishte në vendin e 78-të.
Serbia, ku sipas raportit mediat pro-qeveritare përhapin propagandën ruse, radhitet këtë vit në vendin e 91-të, duke pësuar rënien më të thellë (me 12 vende) në rajonin që përfshin Bashkimin Evropian dhe Ballkanin.