Sipas renditjes së "Reporterëve pa Kufij", kushtet e punës për punonjësit e medias në 70 nga 180 vendet e anketuara vazhdojnë të jenë problematike. Gjermania del nga 20 vendet e para në renditje.
Nga Deutsche Welle
Krizat, luftërat dhe konfliktet rrezikojnë lirinë e shtypit në mbarë botën, u ankua organizata e gazetarëve "Reporterët pa Kufij", në renditjen e saj të lirisë së shtypit, e cila publikohet çdo vit në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit. Vitin e kaluar gjendja e mediave dhe gazetarëve ishte më e paqëndrueshme. Sipas RK-së, presioni ndaj raportimeve të padëshiruara është rritur në mbarë botën.
Në krye të renditjes së lirisë së shtypit, asgjë nuk ka ndryshuar në krahasim me një vit më parë. Norvegjia zë vendin e parë për të shtatin vit radhazi. Për herë të parë pas një kohe të gjatë, Irlanda është vendi i parë që renditet përpara disa vendeve të Skandinavisë. Irlanda është në vendin e dytë, sepse atje është rritur pluralizmi në tregun mediatik, thuhet në raport. Një ligj i ri për shpifjen mbron profesionistët e medias nga paditë abuzive. Si rezultat, Irlanda është renditur para Danimarkës e cila tani është në vendin e tretë.
Shqipëria - renditja më e ulët në BP
Sa i përket vendeve të Ballkanit Perëndimor - Shqipëria është më së keqi dhe renditet në vendin e 96. Shumë poshtë në renditje është edhe Serbia e cila renditet në vendin e 91, shumë afër Shqipërisë. Kosova ka shënuar një progres dhe ngjitet (nga vendi 61) në vendin e 56, por akoma renditet në vendet problematike. Problematike paraqitet gjendja edhe në Bosnjë-Hercegovinë, e cila rendietet e 64-ta. Ndërsa Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi renditen në vendet 38 dhe 39 dhe gjendja atje, sipas RK, paraqitet shumë më mirë se në vendet e tjera të BP.
Përkeqësohet gjendja edhe në Gjermani
Gjermania ka rënë sërish në këtë listë, duke zbritur në vendin e 21-të (ndërsa në vitin 2022 ishte në vendin e 16-të). Arsyeja për këtë është dhuna në rritje ndaj gazetarëve dhe mediave, tha organizata. Me 103 sulme fizike, thuhet se është arritur një nivel i ri. Shumica e sulmeve u zhvilluan në kontekste konspirative ideologjike, antisemite dhe nga krahu i djathtë ekstrem. Megjithatë, Gjermania, si shumë vende evropiane, është në një pozitë të mirë kur bëhet fjalë përlirinë e shtypitnë një krahasim global. Evropa është ende rajoni ku gazetarët mund të raportojnë në liri. Në përgjithësi, Reporterët pa Kufij e vlerësojnë situatën në 52 vende si "të mirë" ose "të kënaqshme".
Shtetet në Azi në vendet e fundit
Në fund të renditjes me 180 vende gjendet Koreja e Veriut (180), ku qeveria nuk lejon asnjë lloj raportimi të pavarur. Situata në Vietnam (i cili renditet në vendin e 178) dhe Kinë (179) është e ngjashme si në Korenë e Veriut. Duke iu referuar Republikës Popullore, në raportin e "Reporterëve pa Kufij” shkruan: "Në asnjë vend tjetër nuk ka më shumë gazetarë në burg për shkak të punës së tyre - aktualisht në burg janë të paktën 100 gazetarë. Më shumë se dhjetë prej tyre mund të vdesin në burg nëse nuk lirohen menjëherë, për shkak të gjendjes së tyre të rëndë. Ndër vendet me kufizimet më të mëdha për gazetarët janë edhe Turkmenistani (176) dhe Irani (177).
Ukraina është përmirësuar ndjeshëm
Rusia renditet e 164-ta për shtypjen pothuajse plotësisht të raportimit të pavarur mbi agresionin e saj kundër Ukrainës, ndërsa Ukraina ngjitet nga vendi i 106-të në vendin e 79-të në botë. Në raport thuhet se atje janë zhdukuar 28 gazetarë, që është po ashtu një rekord i hidhur botëror.
Sipas Reporterëve pa Kufij, ndikimi rus po ndikon negativisht edhe në disa vende afrikane, si Mali, Burkina Faso dhe Republika e Afrikës Qendrore. Në përgjithësi, organizata paralajmëroi se i gjithë rajoni rrezikon të shndërrohet në një "zonë pa lajme".
Ndryshe, indeksi i Lirisë së Shtypit të Reporterëve pa Kufij krahason situatën e gazetarëve dhe mediave në 180 shtete dhe territore. Renditja bazohet në pesë tregues: përveç sigurisë, këta janë konteksti politik, kuadri ligjor, konteksti ekonomik dhe konteksti socio-kulturor. Rezultatet përcaktohen në çdo vend me anë të një studimi cilësor duke përdorur pyetësorë dhe një studim sasior të sulmeve.