‘Kemi 70-80 mijë vota në Tiranë’/ Meta: Fitojmë edhe Durrësin e Elbasanin

Premte, 05 May 2023 08:35

 

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, shprehet besimplotë për rezultatin e zgjedhjeve vendore të 14 majit në bashkitë më të mëdha të vendit.

I ftuar në emisionin Quo Vadis në Vizion Plus, Meta thekson se opozita do të shënojë një fitore të thellë përballë kundërshtarit.

 

“Nuk kemi hyrë në këtë llogari, ne do të jemi fitues në shumicën dërrmuese të bashkive të Shqipërisë. Ne do të jemi fitues në shumicën e Këshillave Bashkiake kudo. Në Tiranë do të jetë një nga fitoret më të jashtëzakonshme, së bashku me Durrësin edhe me Elbasanin, sepse këta kanë qenë prioriteti ynë”, tha ai.

I pyetur se sa vota do të marrë Partia e Lirisë, Meta përgjigjet:-“70-80 mijë vota, pa frikë. 60 mijë i ka marrë në 2015-ën që nuk e ka pasur prioritet të jashtëzakonshëm”, theksoi ai.

Ndërkohë, sipas Metës zgjedhjet paraardhëse vendore ishin mbyllur “në tavolinë” nga pazaret e Lulzim Bashës me kryeministrin Rama.

“Nuk isha as unë as Berisha në një garë dy vite më parë, plus ai pazaret i kishte mbyllur me ish kryetarin e PD dhe me atë i vazhdon akoma edhe me vulën e tij, por kjo është një gjë e pavlerë sepse të gjithë shqiptarët që e duan demokracinë, opozitën sepse duan llogaridhënien e atyre që zgjedhin do të votojnë opozitën”, nënvizoi Meta.

Meta shton se edhe socialistët do të votojnë opozitën për shkak të korrupsionit dhe keqqeverisjes.

Login to post comments