'Shteti ka lënë çdo punë dhe është fokusuar te rrëmbimi i votës'- Denoncimi i Luçiano Boçit: Do i çojmë në SPAK

Premte, 05 May 2023 09:35

 

Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Elbasanit, Luçiano Boçi, ka deklaruar se pushteti lokal, edhe ai qendror, kanë lënë gjithçka dhe po bëjnë çfarë munden në mënyrë që të manipulojnë zgjedhjet.

I ftuar në emisionin “Open” në News24 me gazetaren Eni Vasili, Boçi u shpreh se mazhoranca po përdor kërcënimin për të manipuluar vullnetin e qytetarëve, duke përdorur ndihmën ekonomike, largimet nga puna apo edhe presioni që i bëhet biznesit.

 

Ai tha se se për një gjë të tillë disponojnë edhe prova.

Boçi tha se këto prova do të paraqiten edhe para Prokurorisë së Posaçme, e cila merret me shqyrtimin e rasteve të krimit zgjedhor.

“Panorama është e thjeshtë, një shtet në të dy nivelet lokal e qendror që ka lënë të gjitha punët edhe është fokusuar vetëm tek rrëmbimi i votës. Bën ligjin si të dojë dhe përballë ka një votues që kërkon ndryshimin.

Kemi prova! Sot të gjithë drejtuesit e bashkisë dhe administratës janë në krah të kandidatit të mazhorancës në takimet e tij.

Kjo do dërgohet në SPAK, i cili merret me krimin zgjedhor. Kemi bërë edhe deklarata. Kur nuk e zgjidh shteti e SPAK kush e zgjidh tjetër?

I gjithë zinxhiri shtetëror është në një llogore kundër vullnetit të qytetarëve. Sfida sot është e demokracisë e votës, jo se cili kandidat do të fitojë”, tha Boçi.

Pjesë nga diskutimi në studio:

Luçiano Boçi: Elbasani ka pasur raste ku ka prishur balancat e bastioneve apo koncepteve të tilla.

Nuk mund të tërhiqesh nga një betejë sepse ke humbur diku. Ka votues që binden shumë shpejt e ka të tjerë që duan një kohë më të gjatë.

Që nga kandidimi im i fundit ka ndryshuar dinamika politike dhe përfshirja ime në politikë.
Sot kemi një qeverisje me të metat e saj, argumente shtesë këto ku bastionet bien, rast ky edhe i Elbasanit.

Refleksioni i qytetarëve do jetë refleksion i dëshirës së tyre për të ndryshuar.

Arion Sulo: Po sjell në vëmendje një studim. Flamur i kuq është ngrit në Elbasan për këtë fushatë për angazhimin e shtetit dhe përdorimit të pushtetit në fushatë, bandat, tensionit të partive, ndikimi i oligarkëve dhe konkurrenca e ashpër. Keni një koment për këtë situatë?

Luçiano Boçi: Në raport me gjetjet kam dakordësi dhe mund të shtoj ndonjë hije. Procesi është i tensionuar sepse marrja e votës ka nisur kohë më parë.

Angazhimi i administratës e policisë, është dukshëm pro mazhorancës, dikush nga votuesit e ka quajtur edhe terrorizëm politik se si maxhoranca kërkon të rrëmbejë votën duke intimiduar me forma të ndryshme jo vetëm me joshje por edhe me kërcënime për largim nga puna, ndihmë ekonomike, presion ndaj biznesit etj deri tek lejimi apo jo i aktiviteteve të ndryshme të banorëve në territorin e tyre.

Modifikuar më Premte, 05 May 2023 09:38
Login to post comments