Berisha: Drejtësia e kapur do çlirohet pas 14 majit - Ramës do i japim duart në kohën më të shkurtër!

E Enjte, 11 May 2023 22:17
 
 

Lideri historik i opozitës, Sali Berisha deklaroi nga Shkodra se ndryshimi në 14 Maj do të çlirojë edhe drejtësinë e kapur. 

Përpara qytetarëve shkodranë, Berisha u zotua se Edi Ramës do t'i jepen duart në kohën më të shkurtër pasi të ketë humbur zgjedhjet lokale. 

 
 

Berisha akuzoi qeverinë socialiste dhe kryeministirn Rama se kanë diskriminuar Shkodrën dhe veriun e vendit, duke i lënë pa investime. 

 

"Kush e ka diskriminuar në këtë mënyrë Shkodrën dhe veriun? Askush nuk mund ta bënte përveç Edi Ramës. Po nuk e votove, të ka armik. Sapo erdhi në pushtet, hoqi ndihmën ekonomike 20 mijë familjeve në qarkun e Kukësit. Në të gjitha statistikat, qarku i Kukësit ishte dhe është qarku më i varfër i Europës. I ndëshkoi! Sot, 80 përqind e qytetarëve që jetojnë në varfëri, nuk marrin ndihmë ekonomike.
Jo se nuk ka para, por Edi Rama është një armik i ekzistencës sonë. 

 

Nëse ekzistenca jonë përcaktohet nga qenia jonë si komb në këto troje, ne kurrë ndonjëherë nuk jemi pakësuar sa jemi pakësuar në tetë vitet e Edi Ramës. 1 milion shqiptarë janë larguar nga Shqipëria në këto 8 vite. Shkodra dhe Vlora janë dy qarqet nga ku janë larguar më shumë banorë. Ky ritëm është fatal nëse nuk ndalet më 14 maj. Duke votuar opozitën, Shkodra dhe Shqipëria voton shpresën, voton rivendosjen e pluralizmit, voton rikthimin e Shqipërisë në rrugën e demokracisë, në rrugën e rimëkëmbjes dhe zhvillimit. 

Ndaj shfrytëzoj këtë rast t’u bëj thirrje banorëve të këtij qarku, kudo që janë, ditën e diel të dalin në votime, të votojnë opozitën, të votojnë Bardh Spahinë, të votojnë Isa Ramën, të votojnë Zef Hilën, të votojnë të gjithë kandidatët e primareve. Po vij nga Lezha. Çfarë mësova aty në shesh? Kishte 4 vite që shtatorja e Skënderbeut nuk vendosej pranë monumentit të varrit të tij. A mund ta bëjë një shqiptar këtë? Po me Skënderbeun çfarë ka ai? Unë i thashë atij që do i hiqet shtetësia se është apatrid.

Por atë e bën Edi Rama se Shkodra ka sensin e vet të përjetshëm politik. Është vendin e ka futur në mjegullnaja ballkanike. Ja ku i kemi fqinjët tanë perëndimorë. Nuk flitet për ta, po flitet për Beogradin dhe deklaron në mënyrën më të papërgjegjshme se çfarë kuptimi ka anëtarësimi në BE pa Shqipërinë. Edhe Enver Hoxha në vitin 1946, këtë gjë do thoshte. Tani ne duhet të mbetemi pengje të Beogradit. Pra, rruga e Tiranës, e Shkodrës, e Shqipërisë për në Bruksel, sipas tij, kalon nëpër Beograd.

Ky është një akt tradhtie të lartë, ky është një akt antishqiptar. Me 14 maj ne votojmë për qeveritë vendore, por ju garantoj ju se fitoren e 14 majit nuk do ketë forcë në botë që mund ta ndalojë pa i dhënë duart Edi Ramës në kohën më të shkurtër. Ai ka disa alternativa fatale për të, por unë dua që të jetë vota juaj, të jetë vota e shqiptarëve që do i japë ndëshkimin që meriton. Unë ju garantoj se kjo drejtësi, e kapur si në ditët më të zeza të diktaturës, do çlirohet pas 14 majit. Ne do bëjmë gjithçka që të drejtat e qytetarëve të mbizotërojnë.

Më 14 maj është një ditë e dinjitetit tonë, është një ditë e integritetit tonë, e vokacionit tonë perëndimor. Ndaj të votojmë të gjithë! Votoni opozitën, votoni Bardh Spahinë, votoni për të ardhmen! Kam bindjen se me 14 maj, shkodranët do jenë Rozafa e lirisë, të pamposhtur në idealet e tyre", u shpreh Berisha. 

Login to post comments