Konkretisht në garë për kryetarë bashkie janë regjistruar 144 kandidatë, ndërsa 23 763 kandidatë të tjerë garojnë për këshillat bashkiakë.
Në të gjithë vendin janë 5213 qendra votimi (me vendimin e KSHZ u shtua një QV e posaçme në IEVP Tepelenë), nga të cilat: 61 QV janë me 6 anëtarë, 57 QV janë me 5 anëtarë, 79 QV janë me 4 anëtarë dhe 17 QV me 3 anëtarë, njofton ATSH.
Për identifikimin e zgjedhësve do të implementohet Sistemi Elektronik i Identifikimit të Votuesve (SEIV) dhe do të përdoren Pajisje Elektronike të Identifikimit (PEI) të vendosura në qendrat e votimit, të cilat do të sigurojnë identifikimin e saktë biometrik të zgjedhësve, bazuar në regjistrin elektronik të mbajtur në pajisje.
Komisioni Rregullator në KQZ ka vendosur përdorimin e kamerave regjistruese dhe të monitorëve (ekraneve) për regjistrimin dhe shfaqjen e fletëve të votimit në Vendin e Numërimit të Votave, përdorimin e sistemit të transmetimit video në kohë reale të monitorimit të numërimit të votave nga VNV, në ambientet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Në adresim të rekomandimeve nga OSBE/ODIHR, rezolutës së Kuvendit të Shqipërisë dhe rekomandimeve nga Avokati i Popullit, janë krijuar lehtësi për pjesëmarrjen në votim të personave me aftësi të kufizuara duke vendosur në katin e parë të ndërtesave, qendrat e votimit.
Aplikacioni “KQZ” në ndihmë të zgjedhësve
Për herë të parë, në zgjedhjet për kryebashkiakë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka mundësuar aplikacionin “KQZ”, një projekt i realizuar me mbështetjen e Qeverisë së Zvicrës dhe që synon rritjen e transparencës së veprimtarisë së institucionit.
Gjithashtu ky aplikacion ofron mundësinë për të bërë më aktiv zgjedhësit në marrjen e informacionit me interes për ta, si vendndodhja e qendrës së votimit, emri në listën e zgjedhësve, subjektet zgjedhore dhe kandidatët që garojnë në zgjedhjet e ditës së sotme, të dhëna mbi pjesëmarrjen në kohë reale, si edhe rezultatet zgjedhore.
Aplikacioni “KQZ” është aplikacion pa pagesë që mund të shkarkohet nga çdo telefon smart (Andorid dhe IOS) dhe ka dy funksione kryesore: të informojë zgjedhësit me procesin zgjedhor dhe t’i japë mundësi atij të raportojë për parregullsitë që konstatojnë gjatë procesit zgjedhor.
Gjithashtu, aplikacioni KQZ do të shërbejë si platformë komunikimi mes KQZ-së dhe komisioneve zgjedhore, për të raportuar mbi ecurinë e procesit të votimit dhe procesit të numërimit të votave.
Të dhënat në këtë aplikacion përpunohen dhe ruhen nga KQZ në përputhje të plotë me parashikimet e ligjit “Për Mbrojtjen e të Dhënave Personale”, si edhe në respekt të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, në veçanti garantimit të së drejtës për jetë private dhe familjare