Berisha shkruan, se pas ushtarëve të KFOR-it, bandidët serbë kanë sulmuar edhe mediat e Kosovës, Shqipërisë dhe vendeve të tjera.
Të dashur miq, pas ushtarëve të KFOR-it, objekt sulmesh kryesor këto ditë kanë qenë gazetarët, kameramanët dhe automjetet e ekipeve të mediave të Kosovës, Shqipërisë dhe vendeve të tjera që përmbushnin detyrën e tyre të informimit.
Ato u sulmuan, goditën dhe u keqtrajtuan sepse me raportimet dhe filmimet e tyre paraqitën sulmet kriminale të këtyre bandave kundër policisë së Kosovës dhe ushtarëve të KFOR-it. Përveç kësaj, filmimet e tyre bënë të mundur identifikimin në këto sulme, anëtarët e bandës famëkeqe të Belivukut, kriminelit të lidhur me Aleksandër Vuçiç, banda e të cilit vriste dhe bluante njerëz në brigjet e Danubit. Këta banditë kanë përdorur kundër gazetarëve dhe ekipeve të mediave dhe automjeteve të tyre, gurë, shkopinj dhe eksplozivë.
Dënoj me ashpërsinë më të madhe sulmet kriminale dhe banditeske nga banditë serb lokal dhe të ardhur nga Beogradi, ndaj gazetarëve dhe ekipeve të mediave në veri të Kosovës dhe ju bëjë thirrje policisë së Kosovës dhe forcave të KFOR-it të garantojnë jetën dhe veprimtarinë e gazetarëve në veriun e Kosovës.