Shehu: Mazhoranca nën shkopin e Ramës, e censuroi 'gjenocidin serb në Kosovë' se kështu donte Vuçiç!

Diel, 04 June 2023 21:33
Deputeti i PD-së Tritan Shehu, ish-Ministër i Jashtëm, ka theksuar me forcë në këto ditë tensionesh të forta në veri të Kosovës, shkaktuar nga Beogradi, rëndësinë e një rezolute nga Shqipëria, e cila të dënonte gjenocidin serb në Kosovë në vitet ’90, por që Kryeministri Edi Rama nuk pranoi kurrsesi të futej në Kuvend. Rezoluta u paraqit nga opozita disa muaj më parë në Kuvendin e Shqipërisë, por u refuzua me debate nga deputetët e PS-së.
 

Shehu argumentoi në një intervistë në SYRI TV të dielën me gazetarin Edvin Parruca se ky refuzim ka ndodhur “sepse kështu do Vuçiçi, se ky është vullneti i Vuçiçit, i cili kohë më parë ka thënë se “ne do të bëjmë të gjitha përpjekjet që vendet mike që ne kemi mos të kalojnë një rezolutë të tillë , një dokument të tillë, ku të njihet gjenocidi serb në Kosovë.”

Por, theksoi Shehu, kjo është padyshim në kundërshtim me historinë, është në kundërshtim me të vërtetën dhe nuk sjell asnjë të mirë për zhvillimet e mëtejshme, në qoftë se Serbia nuk ulet, nuk e pranon dhe nuk kërkon falje për këtë gjenocid, gjë që do të thotë të ndahet nga e kaluara.”
 
Pjesë nga intervista me z. Tritan Shehu:
 
 
 

Parruca: Z. Shehu, do të fokusohemi tek zhvillimet që kanë të bëjnë me veriun e Kosovës. Në këtë situatë, ku debati është çfarë duhet të bëjë qeveria e Kosovës, të tërhiqet ndaj presionit të ndërkombëtarëve apo të vijojë qëndrimin e saj, ju keni bërë një tjetër propozim, thoni që parlamenti i Shqipërisë duhet të kujtohet për rezolutën për gjenocidin serb. Pse?! Pse kjo lëvizje?

Tritan Shehu: U bë një vit e ca që me një grup deputetësh kemi paraqitur një kërkesë për mocion me debat dhe të finalizuar me rezolutë ku të kryhen disa elementë. 

Së pari, të njihet gjenocidi serb në Kosovë në vitet ’90. Së dyti, të dënohet ky gjenocid. Së treti, t’i kërkohet qeverisë shqiptare të asistojë qeverinë e Kosovës pranë organizmave ndërkombëtare për ta njohur këtë gjenocid dhe për ta dënuar këtë gjenocid, sepse qeveria e Kosovës nuk mund ta bëjë këtë punë, këtë çështje, vetëm pa asistencën e qeverisë shqiptare, meqenëse Kosova nuk është anëtare e OKB-së.

Pra, këto janë elementët kryesorë që janë kërkuar në këtë material, një material normal, i përputhshëm me atë që ka kërkuar kohë më përpara parlamenti i Kosovës dhe unë do të thosha, i përputhshëm me eksperiencën e madhe evropiane të pasluftës ku dënimi i gjenocideve është një akt i domosdoshëm , ku njohja e gjenocideve është një akt i domosdoshëm, ku njohja e gjenocideve nga ata që janë kryes gjenocidesh është një akt i domosdoshëm për paqen solide dhe bashkëpunimin e ardhshëm. Edhe kërkimi falje nga ata që kanë kryer gjenocide ndaj atyre që e kanë pësuar, pa dyshim edhe ky është një akt i rëndësishëm i cili garanton që ngjarjet të mos përsëriten në të ardhmen.

Unë këtu do të përmend vetë atë që ka thënë zoti Borel disa kohë përpara për domosdoshmërinë e njohjes së gjenocideve nga autorët dhe kërkimin falje për këtë.

Pra, nuk ka asgjë të jashtëzakonshme. Është një gjë krejt normale kalimi i kësaj rezolute në parlamentin shqiptar, por që fatkeqësisht kjo mazhorancë dhe padyshim nën drejtimin e Ramës, nën shkopin e Ramës, nuk ka pranuar as ta fusë në axhendën e parlamentit. Përkundrazi, e ka lënë në harresë, e ka censuruar totalisht, unë gjykoj qartësisht sepse kështu do Vuçiçi, se ky është vullneti i Vuçiçit, i cili kohë më parë ka thënë se “ne do të bëjmë të gjitha përpjekjet që vendet mike që ne kemi mos të kalojnë një rezolutë të tillë , një dokument të tillë, ku të njihet gjenocidi serb në Kosovë.”

Kjo është padyshim në kundërshtim me historinë, është në kundërshtim me të vërtetën dhe nuk sjell asnjë të mirë për zhvillimet e mëtejshme, në qoftë se Serbia nuk ulet, nuk e pranon dhe nuk kërkon falje për këtë gjenocid, gjë që do të thotë të ndahet nga e kaluara.

Pra, unë mendoj se ky është elementi që ne kërkojmë, këtë element, prej një viti e ca. Ndërsa sot, tashmë, unë mendoj se në këto momente, kur ngjarjet po ripërsëriten në Kosovë, ngjarjet agresive serbe, provokacionet, veprimet serbe për të krijuar destabilitet dhe agresion mbi Kosovën, unë mendoj se kjo rezolutë është një domosdoshmëri akoma më e madhe për të kaluar në parlamentin shqiptar.

Pse?! Ka një arsye të madhe pse. Sepse në bazën e këtij tensioni të madh midis Kosovës dhe Serbisë, kush është?! Nuk është Kosova; Kosova është ajo që e ka pësuar. Është gjenocidi serb i Kosovës, janë krimet serbe mbi Kosovën, është dhuna serbe e realizuar mbi Kosovën vite e vite e vite të tëra. Pra, pa u dënuar ajo, pa dyshim është e vështirë të mendohet që mund të realizohet një normalitet midis Serbisë dhe Kosovës.

Pra, këtu jemi të qartë të gjithë bashkë: në bazën e tensioneve midis Serbisë dhe Kosovës është dhuna serbe. Dhuna serbe që fatkeqësisht kërkon të vazhdojë përsëri  sepse Serbia siç duket akoma nuk ka dalë nga millosheviçizmi, akoma komandohet dhe drejtohet nga grupet ultra-nacionaliste  ekstremiste, të cilët në mënyrë të vazhdueshme krijojnë vatra tensioni, duan të krijojnë destabilitet midis Kosovës dhe Serbisë dhe nga ana tjetër nuk kanë asnjë tendencë dhe asnjë vullnet dhe për mua nuk ka asgjë të shpejtë që Serbia të njohë Kosovën.

Pse?! Është edhe një arsye tjetër e madhe: sepse pas Serbisë qëndron Rusia! Është Rusia e cila është e lidhur me kordon umbilikal me Serbinë dhe që do të mbajë këtë gjendje tensioni në rajon, veçanërisht tashti pas dështimeve të Rusisë në Ukrainë, se Rusia do të tërheqë vëmendjen nga ajo që po ndodh në Ukrainë dhe në këtë mënyrë nëpërmjet Serbisë kërkon të krijojë vatra të reja tensioni në rajonin tonë për të shpërndarë vëmendjen dhe koncentrimin e komunitetit ndërkombëtar.

Kjo është çështja, ndaj unë mendoj dhe gjykoj se është e domosdoshme, është një akt normal, një akt civil që kjo rezolutë të kalojë në parlamentin shqiptar, të dënohet ky gjenocid, të ngarkohet qeveria jonë të asistojë qeverinë e Kosovës, të njihet ky gjenocid edhe nga Shqipëria, që unë do të thosha se është A-ja e fillimit të një procesi ku Shqipëria, pas një periudhe të gjatë heshtjeje në marrëdhëniet ndërkombëtare, tërheqjeje nga pozicionet e saj të rëndësishme që ka pasur në Ballkan, do të fillojë në këtë mënyrë të marrë një rol në Ballkan sepse mbron të vërtetën dhe roli në Ballkan merret duke mbrojtur të vërtetën historike dhe asgjë tjetër.”

Login to post comments