Mbrojtja e votës/ Berisha: Nëse nuk e përmbushim këtë detyrim, legjitimojmë farsën elektorale

Saturday, 10 June 2023 13:23
Kryetari demokrat, Sali Berisha, deklaroi sot se PD do vazhdojë mbrojtjen e votës.


"Ajo që mund t’u them është se vazhdon përpjekja jonë për identifikimin e farsës elektorale të majit 2023 në çdo segment dhe qelizë të saj.

Në një proces të cilin unë e konsideroj si mbrojtje të votës, dhe në të vërtetë në rast se ne nuk përmbushim këtë detyrim, de facto ne legjitimojmë farsën më të shëmtuar elektorale në historinë e vendit.

Ndaj po punojmë me intensitet çdo ditë për realizimin e këtij objektivi, sikundër do kalojmë në analizë të plotë të të gjithë problematikës që u konstatua gjatë zgjedhjeve nga PD dhe në PD," tha Berisha.
 
 

"Ky proces në Shqipëri ndaj forcës politike opozitare në Shqipëri është i pashembullt, ky proces shënon një puç të paimagjinueshëm ndaj forcës kryesore politike opozitare dhe njëherazi shënon një proces për shkatërrimin e një kombi.

Historia e Shqipërisë dëshmon se më e egër se lufta, më e egër se fatkeqësitë natyrore për stabilitetin e një kombi qenka shkatërrimi i opozitës.

Procesi i shkatërrimit të opozitës nuk ka nisur me shpalljen non-grata të Sali Berishës, ky proces është më i hershëm. Ky proces nisi kur ambasadori i vendit më mik, demonstronte me megafon para parlamentit kundër opozitës, në një akt të pashembullt në historinë e botës. Ky proces vazhdoi me kontraktimin e McGonigal, kryezbuluesi i botës, në një kohë kur ishte në detyrë, kontraktimi për të bërë gjahun e shtrigave ndaj opozitës shqiptare.

Ky proces vazhdoi me bekimin superurgjent të zgjedhjeve të 25 prillit, në kundërshtim me flagrant me atë që shkruhej në raportin paraprak të vëzhguesve ndërkombëtare. Sepse duhej që Edi Rama të ishte në pushtet dhe opozita të merrte çdo lloj ndëshkimi.

Të gjitha këto nuk ishin motive që unë të dorëzohesha, por këto ishin motive që unë të qëndroja në emër tuaj, në emër të opozitarizmit shqiptar. Ju e patë çfarë ndodhi. Për herë të parë në histori, forca kryesore opozitare futet në zgjedhje pa logon e saj, pa vulën e saj. Kandidatët e saj futen në zgjedhje me zero financime. Të gjitha këto për të zhdukur një forcë që qëndron për vlerat dhe sovranitetin. Unë ju kuptoj për shqetësimin që keni, por mendoj se misioni ynë duhet të vazhdojë.

Ne i dëshpëruam ata që u përpoqën të asgjësojnë PD-në si forcë politike sovrane. Ne do qëndrojmë, kemi besim të plotë se kauza jonë do triumfojë,"theksoi kreu demokrat.

Login to post comments