Berisha: Problemet në PD u shkaktuan nga shkelmimi i statutit! Nuk merrem me pengjet, por me pengmarrësin

Saturday, 10 June 2023 13:33
Kryetari demokrat, Sali Berisha, deklaroi gjatë bashkëbisedimit me qytetarët se statuti i PD do zbatohet me përpikmëri.

 

“Problemet madhore në PD u shkaktuan nga shkelmimi i statutit. Unë jam i betuar dhe i vendosur të zbatoj me përpikmëri statutin, i cili i jep pushtetin anëtarit të PD. Kryetari nëse humbet zgjedhjet lokale, dhe unë e quaj humbje meqë nuk fituam, ndonëse zgjedhjet janë këto që janë, statuti përcakton votëbesimin tim nga anëtarët e PD. Analiza e këtyre zgjedhjeve do bëhet në përputhje me statutin e PD-së. 

Natyrisht paralel me proceset demokratike të partisë, Edi Rama ka stisur një proces me dy pengjet e tij. Unë mund të them vetëm kaq: pengun nuk ka forcë që e çliron nga pengmarrësi përveç vullnetit të pengmarrësit. Unë nuk merrem me pengje, do merrem me pengmarrësin Edi Rama,” tha Berisha.
 
I pyetur për hapjen e PD, Berisha tha: “Me shumë kënaqësi mirëpres në PD të gjithë anëtarësinë e saj dhe në këtë kontekst i garantoj se zëri i tyre do të dëgjohet, propozimet e tyre do përfillen dhe nuk ka asnjë pengesë që ne nëpërmjet procedurave statusore të bëjmë zgjidhjet më të mira. E rëndësishme është të ekzistojë vullneti dhe ndjenja e përgjegjësi që çdo demokrat dhe demokrate ka për hapjen dhe konsolidimin e PD-së, jo vetëm ndaj anëtarëve të saj, por ndaj mbështetësve dhe simpatizantëve të saj”.
 
 

I pyetur nëse do ketë një garë në PD mes tij dhe Lulzim Bashës, Berisha tha: “Një garë mes meje dhe Edi Ramës në PD, kaq është e ngjashme. Faktet nuk janë për t’u injoruar, por për t’u pasur parasysh.

Lulzim Basha ishte në një proces penal, të cilin nuk ia ngriti Sali Berisha, për ngritjen e të cilit Rama pagoi McGonigalin. Në të cilin akuza ishte larje parash 720 mijë dollarë. Edi Rama e menaxhoi procesin e Lulzim Bashës, e çoi gjer në prag të dënimit mimumi me 6 vite burg për 720 mijë dollarë pa origjinë. Shërbimet amerikane thonë se janë me origjinë ruse, ai e mohon, por origjinën e vërtetë nuk e ka treguar kurrë. Në këto kushte, Edi Rama ia mbylli dosjen me një prokuror. Ka një prokuror që ka firmosur për mosmbylljen e dosjes. Firma e tij është e mjaftueshme që Edi Rama ta hapë dosjen në çdo kohë.

Ju më thoni se pengu i Edi Ramës, të vazhdojë me skenarin e Edi Ramës. Ajo që po ndodh është skenar i Edi Ramës për të shëmtuar sa më shumë opozitën. Sepse akoma ka njerëz që besojnë se Lulzim Basha është opozitë. Por ai është një peng pa vlerë. Është njëlloj si të më thuash a do bësh garë me Taulant Ballën. Kjo nuk mund të ndodhë”.

Login to post comments