David Cameron do jetë Sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe. Ish-kryeministri britanik rikthehet duke marrë kështu një post të lartë në qeverinë e Rishi Sunak.
Cameron do zëvendësojë James Cleverly, i cili zuri vendin e Suella Braverman si Sekretare e Brendshme.
Braverman u shkarkua nga detyra për shkak të përplasjeve të vazhdueshme që kishte me kryeministrin Sunak. Një figurë e lartë brenda konservatorëve, Braverman kishte kritikuar qasjen e policisë ndaj protestave pro-Palestinës.
Ajo kishte shkruar një artikull në gazetën ‘Times’, por kryeministria kishte kërkuar që ajo të bënte ndryshime në tekst. Braverman e injoroi këtë kërkesë. Ajo nuk ka reaguar zyrtarisht, por tha për mediat se do të flasë në kohën e duhur.
Lëvizja shokuese për riorganizimin e kabinetit nga kryeministri Rishi Sunak, e sheh Cameron sërish në politikën aktive, pasi kishte dhënë dorëheqjen si kryeministër në vitin 2016.
Ashtu siç kishte premtuar pas referendumit të Brexit, ku kauza e tij për të mbajtur Britaninë e Madhe në Europë humbi, Cameron u largua nga politika pasi dha dorëheqjen edhe si deputet nën qeverinë e Theresa May.
Ish-kryeministri u pa duke hyrë në 'Downing Street' mëngjesin e sotëm, pasi pak më herët ka marrë titullin Baron i Përjetshëm nga Mbreti Charles III.