Edi Rama nuk dispononte as më shumë dhe as më pak se 65 vota në Kuvend, pra 65 deputetë kishte. Reforma në Drejtësi, më e pakta ndryshimet kushtetuese, kërkonin 94 vota. Ju e dini që këto vota ai nuk i dispononte gjëkundi. Dhe çfarë ndodhi?!
Intervistë me deputetin e Partisë së Lirisë, z. Petrit Vasili, mbi deklaratat e fundit dhe marrëveshjet personale të Kryeministrit socialist Edi Rama, në emër të Shqipërisë dhe parlamentit të saj.
Kafe Shqeto: Z. Vasili, ç’hall ka Kryeministri, i cili duket se javën e fundit, ka vendosur të bëjë disa “sparkata”mediatike?
Petrit Vasili: Është nevoja për të mbuluar hapësirë, për të rrëmbyer hapësirë mediatike sepse të gjitha ngjarjet e ditëve të fundit kanë qenë njëra më e rëndë se tjetra. Praktikisht është bërë personazhi më butaforik në Itali dhe në Europë pas pseudo-marrëveshjes për emigrantët e paligjshëm, sikurse është bërë vërtet një nga personazhet që kurrkush në Europë nuk ka më interes ta dëgjojë, sepse ka hyrë në një zonë shumë të nxehtë e të minuar qoftë në drejtim të zonës së trafikut të emigrantëve të paligjshëm, qoftë në zonën e shkeljes së të drejtave të njeriut, qoftë në zonën e marrëveshjeve antiligjore, që bien ndesh me politikat e BE-së për një trajtim edhe dinjitoz, edhe për të eliminuar trafiqet e paligjshme të të gjitha llojeve të emigrantëve, po dhe që ka lëvizur nga shfaqja si një njeri që minonte negativisht çështjen e Kosovës.
Kur qëndrimi shumë i vendosur dhe inteligjent dhe i mençur i Kosovës, e nxori jashtë loje atë dhe Vuçiçin, tashmë filloi lojën e re me Italinë. Besoj se i kanë parë kolegët tuaj në konferencën e gazetarëve të Evropës Juglindore se në ç’mënyrë është kryqëzuar dhe bëri figurën e neveritshme të një autoritari, të një demodeje po dhe të kapur për fyti. Pra, kërkon të rrëmbejë, të mbushë hapësirat, sepse negativiteti në çdo rast është i tillë saqë e detyron të bëjë gjithë këto lloj manovrash, të ndryshojë dhe deklaratat.
Ju e keni parë në dalje nëpër rrethe, deklarata që “seç kemi bërë ne... që Reforma në Drejtësi është e jona... këtë s’na e ka bërë Amerika....” Gjithmonë është përpjekur që të luajë disa bllofe dinake se brenda fshihen qëllime shumë të përcaktuara mirë për të cilat ai punon.
Kafe Shqeto: Debati i javës së fundit ky është - cili është qëllimi i zotit Rama?
Petrit Vasili: Qëllimi i zotit Rama është ky - që të krijojë alibira për veprimet, në mënyrë të veçantë të drejtësisë sepse drejtësia është në një pozicion shumë delikat në raport me vendin, me fatet e vendit, me shtetin ligjor në Shqipëri, dhe mesazhet që ia kanë thënë kanë qenë për fat të keq shumë negative, pra, të një drejtësie që funksionon në bazë të axhendës së Qeverisë dhe pandëshkueshmëria ekstreme e Edi Ramës, e cila ulërin (përfshirë këtu edhe të Kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erion Veliajt) është kaq skandaloze dhe kaq e trashë sa e detyron Edi Ramën që të çojë sinjale nga të gjitha anët, t’i japë mesazhe edhe drejtësisë ndonëse ajo është e kapur, por “mbajeni fort kapjen”, sepse mali i letrave.... Vetëm në televizionin tuaj janë denoncuar dy javët e fundit disa qindra dokumente ku do të ishte i mjaftueshëm njeri prej tyre për të çuar në burg, Edi Ramën, Erion Veliajn dhe mjaft të tjerë, ministra të tij.
Jo deklarata, po dokumente autentike që janë shfaqur nga ju e opozita dhe drejtësia, siç e keni parë, nuk lëviz!
Drejtësia e ka më kollaj të merret me një marrëveshje krejtësisht normale, korrekte në rastin e zotit Malltezi , një nga mijëra marrëveshjet që bëhen në Tiranë për kushedi e sa ndërtime, ku s’kishte asgjë për të folur po vetëm për goditur politikisht, ndërkohë firmat e Edi Ramës janë aty! Firmat e Erion Veliajt janë aty! Dalin firma, njëra më e rëndë se tjetra e duhet të ishin prej vitesh, duhet të ishin larguar nga qeverisja e vendit. Po ndërkohë janë jashtë dhe guxojnë e u bëjnë moral të tjerëve.
Kafe Shqeto: Z. Rama dha nj përgjigje të çuditshme mbrëmë në një televizion ideologjikisht pranë tij, tha që unë “firmosa vetëm për karakatina” edhe pse është paradoksale që KRT e bashkisë të firmosë për godina dhe jo për terrene.
Petrit Vasili: Çështja e kompleksit “Partizani” është shumë e thjeshtë, firma është në fund të vendimit të KRT së Edi Ramës, që thotë “ndryshimi i destinacionit nga sportiv - për objekte banimi”!
Kafe Shqeto: Ai thotë e kisha për karakatina!!!
Vasili: “Nga terrene sportive – në terrene për objekte banimi!” Në qoftë se Edi Rama do të bëjë njerëzit analfabetë që të mos lexojnë dhe shqipen, ka të drejtë ta bëjë këtë punë sepse SPAK e le ta bëjë. Por për t’u kthyer dhe njëherë te thelbi i bisedës, ju dëgjuat edhe një deklaratë bllof kur tha “Reformën në Drejtësi e bëri vetëm Partia Socialiste, nuk e bëri Amerika dhe asnjë tjetër”(!!!)
Dhe unë jo rastësisht dua ta ndaj me qytetarët , pavarësisht se hallet e përditshme të bëjnë të vesh në ahrresë dhe ne e vuajmë atë harresën një çikë më shpesh se duhet, po Edi Rama, kur ka bërë Reformën në Drejtësi (unë kam qenë anëtar i Komisionit të Reformës në Drejtësi) ka qenë nga njerëzit më negativë, më destruktivë për Reformën në Drejtësi. Donte një reformë të kapur, donte një reformë ku të mos merrte pjesë opozita dhe së treti donte një reformë që ta realizonte duke blerë vota deputetësh! Dikush që na dëgjon, pyet “përse”?!
Edi Rama nuk dispononte as më shumë dhe as më pak se 65 vota në Kuvend, pra 65 deputetë kishte. Reforma në Drejtësi, më e pakta ndryshimet kushtetuese, kërkonin 94 vota. Ju e dini që këto vota ai nuk i dispononte gjëkundi. Dhe çfarë ndodhi?!
Nëpërmjet edhe një pozicioni shumë negativ të disa ndërkombëtarëve, u kultivua ideja e madhe që “s’ka gjë, këto vota ne nuk i kemi, por do të dalim nëpër opozitë”, ku me thes me para, ku me leje ndërtimi, ku me legalizim shumë të shtrenjtë e ku di unë se çfarë, ku me ndonjë kërcënim (sepse pati deputetë që morën mesazhe shantazhi qoftë në shqip qoftë në anglisht), ta bëjmë me vota të blera.
Pra, ky nuk i kishte votat, nuk e bënte dot Reformën në Drejtësi. Në qoftë se Reforma në Drejtësi u bë, ishte një vullnet politik. Si u realizua ky vullnet? Në atë kohë edhe Komisioni i Posaçëm që i ka mbetur emri, i thonë “komisioni Xhafaj”, kishte një përbërje prej dhjetë anëtarësh, pra pesë e pesë, ku PS kishte vetëm katër dhe që ligji të shkonte në sallën plenare të votohej, kërkonte minimumin pesë vota. Pra, për të vajtur, jo për t’u votuar dhe që këto ndryshime ligjore të shkonin ka qenë vota e përfaqësuesit të LSI. Kam qenë unë përfaqësuesi i LSI që e çoi në sallën e Kuvendit.
Edhe përpara se kjo reforma e madhe në drejtësi të votohej, kjo “reforma, reforma”, ishte Edi Rama që e bllokoi dhe pas dakortësisë që Kryetari i Kuvendit në atë kohë, Ilir Meta, arriti me opozitën nëpërmjet ndryshimeve për të reflektuar paragrafin 88 të Komisionit të Venecias që pruri opinione dhe thoshte se disa gjëra duhet t’i bëni ndryshe e nuk donte t’i bënte Edi Rama me shokë (donte ta kapte pa u lodhur fare, donte ta kapte që ditën e parë, nuk donte ta kapte ditën e dytë apo ditën e tretë), bllokoi edhe kompromisin.
Ju e dini që një natë përpara, përfaqësuesit e PS nuk erdhën në Komisionin e Posaçëm, u fshehën, bënë disa skena qesharake, bënë sikur bënin një ditëlindje në një vilë qeveritare në bllok.
I bie (kësaj) sepse Rama do të thotë që këtë Reformë “e kam bërë unë”..., që SPAK është “i imi”... prandaj “mos u çudisni kur unë jap urdhra, mos u çudisni kur ai nuk më ndëshkon mua dhe mos prisni që të më ndëshkojë mua, sepse “e kam bërë unë” (!) dhe meqenëse e kam bërë “unë” , nuk do të më godasë mua!!!/ar.sh/SYRI.NET