Kryetari demokrat, Sali Berisha, tha dje në një prononcim për mediat se po afron koha e protestave me mosbindje civile.
“Edi Rama për pushtetin e tij sakrifikon parlamentin, por qytetarët shqiptarë nuk do të pajtohen kurrë me sakrifikimin e parlamentit për pushtetin e një njeriu të inkriminuar në shkallën më të lartë, të një njeriu që po përpiqet të ndryshojë ligjet për t’i shpëtuar përgjegjësive për firmat që ka vendosur, të një njeriu që po mbyll me disa drejtorë hetimin e inceneratorit të Tiranës, të cilët janë absolutisht të përgjegjshëm para ligjit, por nuk janë kurrë njerëzit më kryesorë, sepse më kryesor në djegësin e Tiranës është Erion Veliaj dhe nuk ka diskutim Edi Rama që firmos për t’i dhënë 8 pikë bonus një kompanie për të cilën ishte njoftuar që nuk ekziston dhe që themelohej 9 muaj prapa vetëm një dita para se qeveria ta shpallte fitues për djegësin e Tiranës.
Ndërkohë, po bëhen gati rigrupime tjera, riformatime tjera të qeverisë, të cilat synojnë asgjë tjetër, veçse konsolidimin e krimit ne këtë qeveri.
Unë thashë ju, futja e Taulant Ballës, ishte dorëzimi përfundimisht i rendit tek krimi. Po tani shqyrtohet futja edhe e të tjerëve në mënyrë që krimi të saldohet dhe të mbetet populli shqiptar për ta përmbysur atë në kohën më të shpejtë.
Ju e shihni, ka një klimë të ndezur në publik, ka një zemërim të madh për shkelmimin e të drejtave të opozitës në opozitës në parlament, ka një urrejtje të madhe ndaj krimit dhe revanshit të tij në qeveri.
Kështu që koha e një lëvizje me mosbindje civile në të gjitha aspektet po vjen dhe jam i sigurt në suksesin dhe fitoren e saj,” tha Berisha.