Në Gjykatën Kushtetuese ka nisur shqyrtimi i kërkesës së Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë për shfuqizimin e vendimit të hartës së re gjyqësore.
Seanca e parë në Gjykatën Kushtetuese me objekt “Shfuqizimi si i papajtueshëm me Kushtetutën të Vendimit te Këshillit të Ministrave nr.495, datë 21.07.2022 “Për riorganizimin e rretheve gjyqësore dhe kompetencave tokësore të gjykatave”” u mbaj më 14 Nëntor.
Seanca e radhës është përcaktuar të mbahet më 7 Dhjetor 2023, ku subjekte të interesuara përveç Këshillit të Ministrave, Këshillit të Lartë Gjyqësor, Këshillit të Lartë të Prokurorisë do të jenë edhe Prokurori i Përgjithshëm.
Vendimi për hartën e re gjyqësore u miratua më 10 Qershor 2022 nga Këshilli i Lartë Gjyqësor. Pas vendimmarrjes së KLGj-së avokatët protestuan dhe bojkotuan dy herë radhazi seancat gjyqësore për periudhën 14 deri 17 Qershor, dhe me një tjetër bojkot pa afat të seancave pas 29 qershorit për çështjet administrative dhe penale. Dhoma e Avokatisë në atë kohë i kërkoi Këshillit të Ministrave që të marrë në konsideratë kërkesat e tyre për pezullim të përkohshëm të vendimmarrjes, pasi rishpërndarja e gjykatave do të rrisë kostot e qytetarëve për të ndjekur çështjet gjyqësore, do t’i privojë ata nga e drejta për akses në drejtësi dhe do të dëmtojë profesionin e avokatit.
Bojkoti pa afat i avokatëve nuk u mor në konsideratë nga qeveria ku në mbledhjen e 21 korrikut 2022 u miratua vendimi për hartën e re gjyqësore.
Pas miratimit të vendimit nga qeveria më 1 shkurt 2023 nisi funksionimin Gjykata Kombëtare e Apelit në Tiranë pas shkrirjes së 6 gjykatave të apelit në rrethe.
Më 1 Maj u shkurtuan gjykatat e shkallës së parë. Rishpërndarja e re e gjykatave solli krijimin e 12 gjykatave të shkallës së parë nga 22 që ishin më parë. Gjykatat e shkallës së parë të juridiksionit të përgjithshëm, si: Berat, Elbasan, Tiranë, Vlorë, Dibër (bashkuar me Gjykatën e Matit), Durrës (bashkuar me gjykatat e Kavajës dhe Krujës), Fier (bashkuar me Gjykatën e Lushnjës), Gjirokastër (bashkuar me gjykatat e Sarandës dhe Përmetit), Kukës (bashkuar me Gjykatën e Tropojës), Korçë (bashkuar me Gjykatën e Pogradecit) ,Lezhë (bashkuar me Gjykatën e Kurbinit) dhe Shkodër(bashkuar me Gjykatën e Pukës).
Dhe nga 1 Korriku 2023 u mbajtën vetëm dy Gjykata Administrative të Shkallës së Parë, një në Lushnje, që të mbulojë të gjithë zonën jugore dhe jugperëndimore të Shqipërisë, dhe një në Tiranë, që do të mbulojë të gjithë zonën veriore dhe juglindore, përkatësisht Korçën, e cila nuk ka akses të lehtë në Lushnjë.
Sipas avokatëve rishpërndarja e gjykatave erdhi nga mungesa e gjyqtarëve dhe prokurorëve që krijoi procesi i vetingut.
KLGJ në raportin për hartën e re gjyqësore argumentonte se rishpërndarja e gjykatave synon të ekuilibrojë ngarkesën e punës dhe shpërndarjes së gjyqtarëve ndërmjet gjykatave, me qëllim uljen e kostos financiare dhe eliminimin e zvarritjeve të proceseve gjyqësore//MONITOR