Berisha: Ramës do i bëj gjyqin publik jo me deklarata, por fakte që dëshmojnë se ai nuk ndalet para asnjë krimi

E Enjte, 16 November 2023 15:03

Nga konferenca për shtyp e Kryetarit të PD, Sali Berisha, mbajtur sot, më 16 nëntor 2023.

Berisha: Toka që unë përmenda më sipër, prej 1.577.400.000 metra katrorë është tokë bujqësore, është truall, është kullota, është pyje dhe e përzier. Tani të rikthehemi pak te toka truall, e kthyer në metra katrorë.

Gjatë viteve 2006-2012, agjencia e kthimit dhe kompensimit të pronave, e krijuar me ndryshimet në ligjin për kthimin dhe kompensimin e pronave, iu riktheu shqiptarëve, 54.220.000 metër katrorë truall.

Po kjo agjenci, kompensoi pronarët edhe për 64.900.000 metër katrorë truall. I kompensoi me tokë fizike ose me para.

 
 

Pra, në total, pronarët morën nga kjo agjenci, dokumentet për 119.120.000 metër katrorë tokë.

Në këto 119 milionë dhe 120 mijë metër katrorë, janë brenda edhe 140 metër katrorë të Jamarbër Malltezit, trashëgimi me të gjithë dokumentet zyrtare nga familjarët e tij, tokë e konfiskuar 60 vite më parë nga regjimi komunist dhe e rikthyer gjatë këtyre viteve.

Prapë shtroj pyetjen: a ka mendjen njerëzore që mund të pretendojë se ligjet e pronave, se reforma e pronësisë, se ndryshimi i institucioneve u bë për të favorizuar Jamarbër Malltezin? Pra, rreth 120 milionë metër katrorë truall u kompensuan që Jamarbër Malltezi të marrë 140 metër katrorë truall.

Po, ekziston një mendje e tillë dhe kjo mendje është rrezik i madh. Ju garantoj për çdo shqiptar. Ndaj dhe unë këtu para jush kam vendosur t’i bëj gjyqin publik, jo me deklarata, por me fakte konkrete që dëshmojnë se ky zotëri nuk ndalet para asnjë krimi apo vetëposhtërimi, vetëm e vetëm që të shpëtojë lëkurën e tij.

Mos harroni se ai sot rri në burg politik, i burgosur politik, se nga 119.120.000 truall, ka marrë 140 metër katrorë të vetat, ka marrë ndërkohë në të vërtetë kjo përbën, bashkë me familjen Begeja, as 8 përqind të pronave të tyre. Por ky është hesap tjetër. Pra, ka marrë 140 metër nga 1 miliard e 577 milionë e 400 mijë metër katrorë të kthyera.

Në dacibaon e tyre, fakt për favorizim, paraqitet zgjatja e afatit të paraqitjes së dokumenteve. Turpi i Edi Ramës dhe atyre që shkruajnë në atë mënyrë.

Para meje, afatin e kishte zgjatur Fatos Nano me dy vite. Pas kësaj zgjatje që bëra unë, afatin e kam zgjatur prapë në vitin 2008. Por për dijeninë tuaj, zgjatja e parë e afatit ka pasur pothuajse zero efekt në dosjen e familjarëve të klubit Partizani, pasi ata e kishin nisur procesin në vitin 1994 dhe e vërteta është se kthimi dërrmues u bë nga komisioni i kthimit dhe kompensimit të pronave në vitin 2006, kur shumica e anëtarëve ishin zgjedhur nga mazhoranca socialiste.

Ky është njëri aspekt. Po të marrësh marrëzitë, të cilat referohen ata për ndryshimin e ligjit të pronave, ato kanë pasur vetëm këtë qëllim, që toka të mos mund të grabitej nga shteti, por toka t’i kthehej pronarit dhe kjo ka ndodhur."

Login to post comments