Kryetari i PD, Sali Berisha, ka treguar para mediave dhe qytetarëve sot, një dokument për të cilin tha: "Kjo shkresë është përgjigjia që Ministria e Drejtësisë u jep avoketërve, që pranon se Irena Gjoka, gjykatësja Irena Maneku - ka masë disiplinore".
Fjala është për të gjyqtare, Irena Gjokën, në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, e cila drejton procesin politik të SPAK kundër Kryetarit të PD-së dhe më tej, Berisha ngriti pyetjen:
"Atëherë pse kjo burgosje politike?! Pse shkel Kushtetutën dhe sanksionon kryetarin e PD, deputet, në kundërshtim flagrant me Kushtetutën? Se Kushtetuta kërkon që të merret leje në parlament.
Edhe njëherë dua të sqaroj se unë në vitin 2012 kam kërkuar ndryshimin e Kushtetutës që të mos merret asnjë leje në parlament. Edi Rama e hodhi poshtë me pretekstin se Sali Berisha na arreston. Sali Berisha voton që tani për çdo masë që do të sugjerojnë organet e drejtësisë. Por Kushtetuta nuk mund të shkelmohet. Këtë e bëjnë banditët.
Unë nuk mund të shkel kurrë Kushtetutën, pse një grup i strukturuar kriminal, i përbërë nga një prokuror, ish-oficer i policisë sekrete të Enver Hoxhës, i përbërë nga një gjykatëse, shtojcë e bandave të vendit, e cila konfiskon dosje dhe u mohon qytetarëve të drejtën e procesit gjyqësor.
Nga një gjykatëse, pa dinjitet, pa cipë, që fshihet pas krimit të saj.
Unë jam sot këtu para jush, ju më keni dëgjuar me ditë të tëra që t’i kërkoj të bëjë publike a ka qenë apo jo e ndëshkuar nga Sali Berisha në vitin 1996. Është fshehur pas krimit që ka kryer. Është fshehur pas shkeljes flagrante të ligjit të konfliktit të interesit, si një mercenare e Edi Ramës.
Atëherë, meqenëse ajo është fshehur, unë po u jap ju, e kam ruajtur për ju, e kam ruajtur për ju këtë shkresë.
Kjo shkresë është përgjigjia që Ministria e Drejtësisë u jep avoketërve, që pranon se Irena Gjoka, gjykatësja Irena Maneku ka masë disiplinore.
Shikoni sa qesharake, thonë nuk e dimë nëse është Gjoka kjo Maneku apo tjetër, në një kohë kur kjo është gjykatësja që fshihet pas krimit, sepse ka kryer krim duke shkelur ligjin e konfliktit të interesit.
Sepse kur ka shkuar dosja, e tëra me mashtrime, një piramidë mashtrimi, ka qenë e detyruar nga ligji të deklarojë se nuk kam asnjë konflikt interesi në gjykimin e kësaj dosje.
Ja ku është shkresa. Dokumente të tjera do i faktojnë se kjo Maneku është Gjoka dhe Gjoka është Maneku, meqenëse ajo kryen krimin e shëmtuar dhe i fsheh ministrit të Drejtësisë faktin se ajo është i njëjti person. Është shkarkuar nga Sali Berisha për shkelje të rënda dhe korrupsion."