Baza detare Limion dhe mësime interesante nga një vendim i Gjykatës së Lartë

Tuesday, 05 December 2023 17:53

Nga Genc Pollo; 


Në 15 qershor të këtij viti trupi gjykues i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë i përbërë nga Panda, Boksi e Bici ka marrë Vendimin 1001 mbi çështjen e bazës detare Limion, Sarandë duke përmbledhur dhe konfirmuar vendimet e gjykatave të Apelit dhe të Faktit. Gjykata konkludon se dhënia me qira 1 euro për 20 vjet e kësaj baze detare, një konsorciumi biznesi privat “vë në rrezik sigurinë kombëtare dhe detyrimet që shteti shqiptar ka ndaj NATO-s apo organizmave të tjerë ndërkombëtare”

1.      Kur gjyqësori zëvendëson ekzekutivin

Në dy shënime në v2022 kam theksuar se privatizimi de facto i bazës detare Limion, përveçse i kundërligjshëm dhe me gjasë korruptiv, është edhe një dëm i madh kundrejt mbrojtjes kombëtare që po ndodh pikërisht kur po davariten iluzionet e paqes permanente mbas rënies së Perdes së Hekurt në Europë.

Mospasja e një baze detare Limion do të thotë se Shqipëria nuk do të mundet të jetë efektive në operacione kërkim-shpëtimi, ligj-zbatuese apo qoftë edhe urgjente luftarake në kanalin e Korfuzit dhe ujërat territoriale në veri të tij ku trafiku i anijeve është intensiv (ndërhyrja nga baza detare më e afërt, Pasha Limani, vonon jo pak). Gjithashtu kam shënuar se tërë ata patriotë që vetëtijnë për kufirin detar me Greqinë por mbyllin sytë para dëbimit të Forcës Detare shqiptare nga brigjet e Jonit duken disi hipokritë. Në fund të fundit ke sovranitet mbi territorin vetëm kur ke kontroll efektiv mbi të. Ky është parimi i vitit 1702 tashmë i gjithëpranuar: "Deti yt është deri aty ku arrijnë gjylet e topave të tu" sipas Cornelius Bynkershoek në traktatin e tij "De dominiomaris”.

Këtë digresion nuk e bëj për kënaqësinë që tri gjykata të republikës e konfirmuan shqetësimin tim, por sepse këto gjykata me vendimin Limion kanë krijuar një precedent interesant. Në monarkitë absolutiste të së shkuarës çështjet e sigurisë, apo siç quhej atëherë lufta dhe paqja, ishin domen ekskluziv i mbretit.

Edhe më vonë në shtetet demokratike këto tagra mbetën me qeveritë dhe parlamenteve u rezervoheshin nganjëherë vendime të mëdha si aleancat e shpallja e luftës. Regjimi kushtetues i Shqipërisë nuk bën përjashtim dhe i jep rolin primar Ministrisë së Mbrojtes, Qeverisë e Presidentit të Republikës. Dhe Ministria e Mbrojtjes e Qeveria që janë përgjegjës kryesorë për sigurinë kombëtare bëjnë qokë me një aset të mbrojtjes pa miratimin e Presidentit (detyrim ligjor): por ata prapësohen nga gjyqësori, një aktor i pazakonshëm në këtë fushë, i cili sekuestron bazën detare (në fakt kontratën problematike).

Është një zhvillim interesant në ndarjen e tre pushteteve dhe raportet mes tyre. Nëse lemë mënjanë dështimin monumental të qeverisë për të përmbushur detyrën kushtetuese.
 
2.      Mbi ministra e gjeneralë

Vendimi prej 37 faqesh i Gjykatës së Lartë përshkruan me detaje sesi Ministria e Infrastrukturës i dha me koncesion konsorciumit privat detin para bazës detare edhe pse Ministria e Mbrojtjes kishte kundërshtuar me shkresë; sesi Ministri i Mbrojtjes dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm tentojnë të ndrydhin kundërshtimin e komandantit të Forcës Detare Kapiten i Parë Artur Meçollari, i shkarkuar më pas me sebep koti për t‘u zëvendësuar me një “jesmen” (yes man) ) pastaj anashkalojnë Presidentin nga i cili prisnin refuzim; se si futen në turli raportesh ekonomiko-ligjore të pashëndetshme me konsorciumin privat, se si formulojnë fjali ambigue në shkresa duke u rrekur të maskojnë paligjshmërinë e të tjera si këto.

Lexuesi është njohur nga artikujt investigativë të gazetarëve Ferdinand Dervishi e Klodian Tomorri se batërdi pronësore qeveria ka bërë me të gjitha bazat detare përfshirë Pasha Limanin, Kepin e Palit dhe Shëngjinin.

Vendimi i sekuestros preventive është në fakt një vendim anësor i çështjes penale të çelur nga Prokuroria e Posaçme. Objekti i hetimit është shpërdorimi i detyrës ku të dyshuarit e nivelit të lartë janë Ministri i Mbrojtjes e Shefi i Shtabit të Përgjithshëm asokohe, sot që të dy deputetë të Partisë Socialiste në Kuvendin e Republikës.

Media ka bërë publike edhe shkresa të Shefit të Shtabit pasardhës që urdhërojnë Forcën Detare të zbatojë kontratën e konsorciumin privat për bazën Limion. Këtë Shef Shtabi, Rama e përzgjodhi për postin më të lartë në shtet. Gjithë afera penale dhe dokumentet e publikuara ngrenë pyetje serioze mbi përshtatshmërinë në ofiqin publik edhe në rastin e çuditshëm sikur prokurorët të mos i marrin të pandehur këta persona.

E çuditshme është heshtja e tyre sepse si ofiqarë, pavarësisht procesit penal, duhet të sqaronin opinionin publik mbi përgjegjësinë e ligjshmërinë e veprimeve të tyre. Këtu përjashtim bën ish-Ministri i Mbrojtjes: në përfundim të marrjes në pyetje në Prokurorinë e Posaçme i jep gazetarëve një deklaratë sa noprane aq edhe të sinqertë  mbi bazën Limion ku zbulohet edhe botëkuptimi rilindist: “Asetet e dergjura mes ndryshkut po i kthejmë në asete me vlerë”

3.      Lehtësia e padurueshme ebutaforisë

Do të ishte e padrejtë të përfundonim këtë shënim pa thënë dy fjalë për Edi Ramën. Jo për pandehjen e veprës penale meqë firma e tij është mbi VKM miratuese të dhurimit të bazës detare Limion. Por për lehtësinë e padurueshme të butaforisë me çështje serioze.

Që prej vitit 2021 Rama shkresërisht e gojarisht i kërkon NATO-s të investojë në një bazë detare në Porto Romano edhe pse aty ku janë ndërtuar dy porte private, po projektohet transferimi i Portit Durrës dhe ku nuk ka hapësirë fizike për një port tjetër. Pa përmendur këtu dyshimet e kritikat për klientelizëm e korrupsion për të cilat me gjasë synohet kopertura e NATO-s.

Rama ka “harruar” se në v2019 Ministri i Mbrojtjes i ka propozuar NATO=s përdorimin e bazës detare Pasha Liman e cila po shqyrtohet për përdorime logjistike e jo luftarake.

Në fakt e gjithë kjo nuk ka shumë kuptim pasi Adriatiku është faktikisht një liqen i Aleancës dhe NATO i sheh sfidat navale në detin e Zi, në detin Balltik e në oqeanin Arktik. Por ky realitet nuk e ndal dot hovin propozues të Ramës.

Vjet e bëri në Tiranë një gjeneral të NATO-s i cili heshti me politesë. Para dy javësh në Shkup, në prani të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Stoltenberg të Rama përsëriti se i ofronte NATO-s “një bazë detare në Porto Romano”! 

Nuk jam ekspert në telepati por do të vija bast se z. Stoltenberg, një norvegjez fjalëpak, ndërsa dëgjonte pa folur ofertën e fundit nga Rama thoshte me vete: “O Zot mëshirëplotë! Ruaji nga babëzia bazat detare të këtij shteti anëtar të Aleancës! Dhe pastaj o Zot më shpëto dhe mua nga këta që duan të më varin në qafëmbetjet e babëzisë”

Login to post comments