Kryetari i PD, Sali Berisha, vijoi me gjyqin publik kundër Edi Ramës, ku publikoi një dokument tjetër për aferën Rama-Bolino. Berisha tha se, vetëm qiraja do të shkonte 1.4 milionë euro për 20 vite.
DEKLARATA E PLOTË
Vazhdojmë gjyqin ndaj hajdutit më të madh në historinë e shtetit shqiptar, por edhe në kohëra, gjyqin ndaj Edi Ramës. Në një seri seancash kemi paraqitur këtu me fakte e dokumente se si Edi Rama me 4 vendime qeveritare të personalizuara rrëmbeu me Karlo Bolinon 4900 m2 tokë pronarëve.
Se si Edi Rama duke përdorur emrin e Bolinos mori nga toka e Begejve 3 herë më shumë se pasardhësit e tyre, dhe se si për të rrëmbyer këtë tokë firmosi 4 vendime qeveritare, ndëkohë që mban nën arrest njeriun që ka marrë në përputhje me të gjitha ligjet dhe me asnjë vendim të personalizuar, por në përputhje me ligjet e vendit atë që ka marrë 408 m tokë vetëm e vetëm për motive politike.
Tani ju jeni njohur me aktin e pashembullt të 4 vendimeve për grabitjen e tokës.
Ja ku janë vendimet. Me radhë. Njëri pas tjetri, që të gjitha të personalizuara për kompaninë që ai ka me Bolinon e tij.
Por unë jam këtu tani për një fakt tjetër shumë të rëndësishëm për ta paraqitur para jush.
Dhe kjo tokë i është marrë gjimnazit. Rama me Bolinon kanë marrë, kanë përvetësuar tokën e cila në plan rregullator të përgjithshëm të Tiranës, në rrugën ‘Ndre Mjeda’ caktohet ndërtimi i shkollës së mesme.
Ky pra është një krim i dyfishtë, është një vjedhje në vakëf. Është një vjedhje për femijët e territorit ku do ndërtohej shkolla. Është një pamëshirësi e madhe.
Desha të paraqes para jush këtë dokument të veçantë. Çfarë tregon? Ky dokument tregon se në bultetinin nr.29 të datës 22.07.2019, Agjencia e Prokurimit Publik, Ministria e Financave dhe e Ekonomisë publikoi njoftimin për dhënien me qira të pasurisë 7/649 me sipërfaqe të përgjithshme 4020 m. Ishte e para kjo, takeni parasysh, s epastaj shtoi 800 e sa metër Rama këtu. Me vendimin e dytë Rama shton 800 e sa metër këtu.
Në njoftim përcaktohen të gjitha, pra dhënie me qira e kësaj, e cila thotë: Vlera dysheme për detyrimin e qirasë për fillimin e konkurrimit është 63.000 euro, se ishin 3 ndërtesa këtu.
63.000 euro në qoftë se ju i mblidhni për një vit bëjnë 74.000 euro vit. Në 20 vite bëjnë 1.4 milionë euro.
Pra, vetëm sikur me qira të jepej nga ky territor qytetarët e Tiranës fitonin 1.4 milionë euro. Çfarë ndodh? Me deus ex machina, quhet kjo. Kalohet nga 63.000 euro qiraja, Denaj me Ramën e kalojnë në 1 euro. Kjo ishte në korrik.
Këta në muajin tetor bëjnë vendimin në të cilën zonën me të cilën zonën 7/649 e marrin së bashku me Bolinon me 1 euro. Pastaj ndryshojnë edhe kontratën. Gjithnjë të personalizuara, ndryshojnë kontratën dhe e shtojnë me 870 m2, dhe me të tretën vendosin shtrirjen e objektit, por përpara japin lejen.
Të dashur qytetarë dhe qytetare, është unike në botë kjo leje. Nuk ka kryeministër në botë që të firmosë në detyrë një leje ndërtimi për një ndërtesë 3-katëshe. Është unike. Është dëshmi e përqendrimit të pushtetit të tij për të vjedhur dhe grabitur.
Pse e ka firmosur vetë? Sepse ka patur frikë se Këshilli do bëjnë zhurmë të madhe kur të mësojë se po grabit tokën e shkollës. Nuk gjen në të gjithë diktaturën komuniste në Shqipëri, nuk gjendet kurrë një leje ndërtimi e firmosur nga Mehmet Shehu, apo nga pasardhësi i tij, apo paraardhësi i tij. Nuk ndodh.
Kjo ndodh vetëm në një vend, kur nje njeri për t’u pasuruar vetë është i gatshëm të ushtrojë çdo lloj pushteti vetëm për të vjedhur.
Pra, a ka dëshmi më flagrante se sa kjo leje për ndërtesë 3-katëshe, e firmosur nga kryeministri jashtë çdolloj kodi dhe ligji. Natyrisht, jo vetëm nga kryeministri, por pjesa tjetër është edhe nga Anila Denaj, leja për të ndërtuar në territorin e vjedhur.
Ky është dokumenti i cili dëshmon edhe njëherë në mënyrën më flagrante aktin skandaloz të rrëmbimit të 4900 m tokë të cilët pronarët e lanë vakëf për ndërtimin e shkollën së mesme në territorin ku nuk kishte një të tillë.
Kjo ishte ajo aë unë doja të paraqisja. Nesër, ose pasnesër do t’u njoh me një seri dokumentesh të tjera të cilat faktojnë veprat e rënda penale që kanë kryer Rama dhe Bolino në këtë vjedhje skandaloze, në këtë vjedhje të pashembullt. Thashë sot të mbetemi te dokumenti.
Ja ku janë dy mafiozë të kalibrit jo shqiptar, por në dy gadishuj nuk kanë shokë përveç vetes së tyre.