Kryetari i PD, Sali Berisha, iu përgjigj pyetjeve që gazetarët i drejtuan sot gjatë konferencës për shtyp në selinë e PD lidhur me aksionin opozitar dhe forcimin e PD-së.
"Asnjë ndryshim nuk ka dhe nuk do ketë në kuptimin që statuti përcakton strukturat drejtuese, - tha Berisha ndër të tjera. - Kryetari është kryetar, Sekretari i Përgjithshëm është Sekretar i Përgjithshëm, nënkryetarët janë nënkryetarë. Ajo që sot kërkohet, dhe që e kërkoj nga çdo mbështetës dhe anëtar i ynë, kërkohet një kthesë e vërtetë. Një kthesë për të vazhduar betejën pa kthim për rivendosjen e pluralizmit.
Pluralizmi, sot në thelb nuk ekziston. Në fasadë ekziston. Por pluralizëm në fasadë, përveç Shqipërisë dhe mundet Koresë së Veriut, kanë pasur të gjithë diktaturat komuniste. Për shembull Polonia kishte Partinë Agrare që qeveriste me Partinë e Punës.
Pse them fasadë?!
Në qoftë se ti, forcës politike opozitare, i mohon të drejtat kushtetuese të ushtrimit të sovranitetit të brendshëm të vendit; në qoftë se si, opozitës së vendit i mohon të drejtën për të përcaktuar kryetarin e saj; në qoftë se si opozitës i mohon të drejtën për të paraqitur ligje në parlament, rezoluta; në qoftë se ti opozitës në vend i mohon për të ngritur komisione hetimore; dhe kulmimi i të gjithave, në qoftë se e skualifikon atë në mënyrën më të paimagjinueshme, nga subjekt me të drejtë të pakushtëzuar për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese në subjekt me të drejtë kur të dua unë, atëherë nëse ti merr vulën dhe bën pazar me logon e saj, nuk e regjistron në fletën e votimit, nuk regjistron kryetarin e saj por e burgos, e arreston, e lë në arrest shtëpie, atëherë çfarë mbetet këtu nga pluralizmi?! As Frrok Çupi nuk mbetet më! Ose mbetet vetëm Frrok Çupi dhe Dritan Hila..."