Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka miratuar kërkesën e SPAK duke vendosur masën e re të sigurisë ndaj liderit të opozitës Sali Berisha, arrest shtëpie i ruajtur me policë.
Gazetari i SYRI TV, Fatjon Gjinaj, i cili ndodhet pranë kësaj gjykate, tha: “GJKKO, pavarësisht kontestimeve dhe kërkesave të vazhdueshme për të mos qenë pjesë e trupës gjyqësore, gjyqtarja Irena Gjoka për shkak të konfliktit të interesit që ka në këtë çështje dhe njëanshmërisë, ka miratuar kërkesën e SPAK për të çuar liderin e opozitës, Sali Berishën, në masën shtrënguese të arrestit në shtëpi, ndryshe nga masa që kishte deri tani ajo e detyrimit për paraqitje. Kjo shoqërohet edhe me mbikëqyrjen policore të liderit të opozitës dhe pengimin e tij edhe për t’u shprehur edhe për të komunikuar me persona të tjerë që nuk janë bashkëjetues me të...."
Avokati i z. Sali Berisha dha një deklaratë për mediat në përfundim të seancës në GJKKO, ku u vendos masa e re e sigurisë ndaj liderit të opozitës, ajo e arrestit shtëpiak me mbikëqyrje policore.
Avokat Genci Gjokutaj tha: "Përfundimisht, gjykata pranoi kërkesën e SPAK, ndryshoi masën e sigurimit. Përfundimisht mbeten dy masa sigurimi: Arrest në shtëpi dhe ndalim i daljes jashtë shtetit, që në fakt janë nonsens, sepse këtë pjesë e ezauron dhe ndalimi i daljes shtetit.
Faktikisht ne kërkesën e kemi depozituar dje në postë, pasi ikte afati dhe nuk kishim setin e provave. Gjykata nuk u shpreh fare me vendim për ta pranuar ose jo. Ndërkohë që kërkesa ishte duke ardhur, e shpalli vendimin.
Sigurisht në panik për përjashtimin e saj (gjyqtares). Ky ishte vendimi sot. Ajo që është shqetësuese është se ky vendim shoqërohet me ndalimin e komunikimit. Për një deputet të Shqipërisë, që komunikimin e ka detyrë funksionale dhe lirinë e shprehjes, që është liri kushtetuese për të cilën SPAK duhet të kishte marr autorizim nga Kuvendi të veçantë që të kryente këtë veprim."