‘Dhurata' e Ramës/ Nga 15-23%, vit i ri me taksa të reja për profesionistët e lirë

Hënë, 01 Janar 2024 15:23

Me fillimin e vitit 2024 nis edhe tatimi progresiv me normat tatimore 15% dhe 23% për profesionet e lira. Të vetëpunësuarit dhe personat fizik të profesioneve të lira të përcaktuara në listën analitike të miratuar nga Këshilli i Ministrave, që nga 1 janari  nuk do të trajtohen më si biznes i vogël me 0%.


Mirëpo, për të ardhurat neto (fitimi) nga biznesi, pas shpenzimeve të zbritshme sipas nenit 22 të ligjit, të vetëpunësuarit do të tatohen me normat 15% për fashën 0 deri në 14 milionë lekë  dhe mbi 14 milionë lekë vendoset tatimfitimi 23%.

Lista është e ndarë në 26 akitvitete të kategorizuara në 169 profesione. Në të përfshihen noterët, agjentët imobiliarë, dentistët, mjekët, IT-të, guidat turistike, avokatët e një sërë të profesionesh.

“Këto të ardhura që do të paguhen do të shkarkohen dikur tjetër, dhe fundori si gjithmonë janë qytetarët. Patjetër që shteti mbahet me taksa, por jo t’i qepesh një profesioni dhe në 10 vjet t’ia rëndosh punët”, tha Ermal Hamaj, avokat.

Më shumë do të duhet të paguajë një profesionist i lirë si guidë turistike apo agjent imobiliar. Nga zero taksa të paguara, një guidë do të nxjerrë nga xhepi duke derdhur në arkën e “tatimeve” plotë 1.5 milionë lekë.

“Nuk jemi gati për këtë ndryshim, duke parë edhe rritjen e çmimeve. Profesionet e lira punojnë part-time dhe kjo do të sjellë frikë”, u shpreh Jetmira Hoxha, Guidë Turistike.

Në 2023 qeveria deklaroi se ndërmarrja  e këtyre ndryshimeve do të vijnë për t’u dhënë fund deformimeve që i janë bërë sistemit fiskal, ku të punësuar që trajtohen me taksë progresive kanë dalë nga listë pagesat, duke u regjistruar si të vetëpunësuar.

Login to post comments