Fjalia hapëse e arsyetimit mbi bazën e të cilit prokuroria amerikane ka kërkuar dënimin me 30 muaj burg dhe 90 mijë dollarë gjobë për Charles McGonigal në lidhje me dosjen shqiptare është tekstualisht: “I pandehuri Charles McGonigal mbikëqyri operacionet e sigurisë kombëtare për FBI-në në Nju Jork pa i bërë të ditur FBI-së se ai kishte marrë qindra mijëra dollarë nga një biznesmen me lidhje me qeverinë shqiptare.”
Kjo është hera e parë që prokuroria amerikane e lidh drejtëpërdrejtë Agron Nezën me qeverinë shqiptare. Ashtu sikurse është hera e parë që marrja e parave nga McGonigal dhe fshehja e tyre cilësohet në pretencë si korrupsion.
Në aktakuzën e janarit të vitit të kaluar nuk ekziston asnjë prej këtyre dy fakteve. Por me sa duket hetimet kanë avancuar dhe prokuroria amerikane ka krijuar bindjen ose ka siguruar provat se McGonigal u korruptua dhe korruptuesi i tij është një njeri i lidhur me qeverinë shqiptare.
Po në pretencë prokuroria sqaron dhe arsyen e korruptimit. “Pas marrjes së parave nga personit A, i pandehuri ka kryer veprime që fshehin marrëdhëniet e tij me Personin A – dhe dukej se çonte përpara interesat shqiptare në Shtetet e Bashkuara,” thotë prokuroria në pretencë.
Por cilat ishin këto interesa shqiptare sipas akuzës? Përgjigja është hetimi i opozitës për llogari të qeverisë.
“Për shembull, në pranverën e vitit 2018, disa muaj pasi Personi A i dha paratë të pandehurit MCgonigal, Personi A u hap si një burim njerëzor konfidencial i FBI-NY për një hetimi kriminal brenda fushës së përgjegjësisë së të pandehurit. Hetimi përfshinte akuza se një individ po shkelte Akti i Regjistrimit të Agjentëve të Huaj bazuar në mospërputhjet e pagesave që lidhen me aktivitete lobuese në Shtetet e Bashkuara në emër të një partie politike shqiptare,” shkruhet në dosje.
Bëhet fjalë për çështjen e famshme Muzin, hetimin e parave të lobimit të Partisë Demokratike që u hap ndaj Lulëzim Bashës. Prokurorët amerikanë zbulojnë se oficerët e FBI-së u çuditën kur iu kërkua të hapej ky hetim.
Në një email të brendshëm, një oficer FBI-së pyet me habi se pse McGonigal po kërkonte hapjen e një hetimi për lobim të një partie shqiptare duke e cilësuar atë si një çështje të sigurisë kombëtare në SHBA, në një kohë që FBI po kishte mungesë burimesh dhe nuk po përballonte dot hetimet me shkallë rreziku 3 dhe 4 për sigurinë kombëtare.
Pra tashmë aventura shqiptare e McGonigal u certifikua si një aferë korruptive në dëm të interesave të Shteteve të Bashkuara. Dhe prokuroria amerikane e lidh korruptuesin me qeverinë shqiptare./Kapitali