Irena Gjoka nuk gjeti asnjë element për ikje apo prishje provash nga lideri i opozitës, megjithatë ajo nuk ndal të merrte vendime skandaloze dhe të arrestonte Berishën në kundërshtim me Kushtetutën e ligjet e vendit dhe praktikat më të mira të drejtësisë ndërkombëtare.
Nëse gjyqtarja Irena Gjoka (Maneku) do të lexonte arsyetimin e vendimit të saj, ajo kurrësesi nuk do të vendoste që ndaj kryedemokratit Sali Berisha të aplikohej masa e “arrestit në shtëpi” dhe për më tepër, me detyrimin shtesë për të mos komunikuar me persona jashtë familjes.
Në vendimin e zbardhur të gjyqtares Gjoka ka shumë elementë, që dëshmojnë se vendimi për Berishën nuk ka asnjë lidhje me procedurën ligjore dhe ai vendim është marrë jashtë mureve të drejtësisë.
Prokurorët e posaçëm, Arben Kraja dhe Enkeleida Millonai kërkuan shtrëngimin e masës së sigurimit për Berishën, nga ajo e detyrimit për paraqitje dhe dalje jashtë shtetit, me atë të arrestit në shtëpi. Sipas prokurorëve, kjo masë kërkohej për shkak se kreu i opozitës nuk kishte zbatuar masën e “detyrimit për paraqitje” të dhënë më parë.
Gjyqtarja Gjoka (Maneku), në vendimin e saj, citon një vendim të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, në të cilin ka dy elementë: “Masa e sigurimit nuk është dënim që të përdoret si masë ndëshkuese për personin që dyshohet se ka kryer një vepër”, si edhe “masa nuk jepet për të lehtësuar punën e organit të prokurorisë”.
Megjithëse përmend këtë referencë, gjyqtarja Gjoka ka marrë vendim tërësisht në të kundërt të tyre.
Ajo vendosi “arrest në shtëpi” për Berishën, pasi prokurorët u ankuan se ai nuk u paraqit tek oficeri i Policisë Gjyqësore. Pra, gjyqtarja Gjoka e përdori masën e sigurimi si ndëshkim, dhe jo si nevojë hetimi.
Po ashtu, Gjoka e ka të qartë se masa e sigurimit nuk jepet për të lehtësuar punën e prokurorit. Por, vetë ajo, në vendimin e saj shprehet se: “Nevojat e sigurimit janë të tilla që të justifikojnë masën e arrestit në shtëpi, pasi prokuroria ka ende veprime hetimore për të kryer”. Pra, praktikisht, gjyqtarja Gjoka ka vendosur masën për të lehtësuar punën e prokurorisë, e cila gjithësesi ka më shumë se tre vjet që kryen hetime.
Gjyqtarja Gjoka citon Kodin e Procedurës Penale, në të cilin thuhet se shtrëngimi i masave të sigurisë, lidhet me parandalimin e veprimeve të mëtejshme kriminale të individit, rrezikun e ikjes apo pengimin e hetimeve.
Por, në asnjë rresht të vendimit prej 41 faqesh, gjyqtarja nuk përmend asnjë situatë se si Berisha mund të rrezikojë këtë tre elementë. Përkundrazi, vetë prokurori i çështjes, Arben Kraja, deklaroi në seancë parlamentare se Berisha nuk ka rrezik ikjeje, pasi është gjithë kohës në media.
Ndërsa sa u përket prishjes së provave, kryedemokrati nuk ka asnjë mundësi reale, pasi ai është nën hetim për Vendime të Këshillit të Ministrave, të cilat janë publike prej gati 15 vitesh.
Gjyqtarja Gjoka, në vendimin e saj, tenton të gjejë mbështetje në praktikën e Gjykatës së Strasburgut, për të justifikuar shtrëngimin e masës së sigurimit ndaj Berishës. Por, pikërisht ato referenca rrëzojnë argumentat e gjyqtares.
Gjoka thotë se Strasburgu ka theksuar se, “për të përcaktuar nëse ka rrezik ikje apo jo është e nevojshme që të bëhet një vlerësim objektiv i përgjithshëm duke shqyrtuar të gjithë faktorët përkatës”. Në rastin e Berishës, vetëm vlerësim objektiv nuk është kryer. Pasi, siç është pranuar nga vetë prokurorët, nuk ka asnjë indicje për rrezik ikjeje.
Dhe pika kulminante i vendimit skandaloz të gjyqtares Gjoka (Maneku), është pikërisht detyrimi i liderit të opozitës Berishës për të mos komunikuar me persona të tjerë, praktikisht me elektoratin e tij.
Gjyqtarja thotë në vendim: “Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut ka konstatuar vazhdimisht se ka pak hapësirë për kufizime në fjalimet politike apo debatin e çështjeve me interes publik….”.
Pra, ndërkohë që Strasburgu flet për mundësi fare të vogla për kufizime në fjalimet e politikanëve, gjyqtarja Gjoka (Maneku) shkon tërësisht në të kundërt, duke vendosur ndalimin e Berishës për të komunikuar me elektoratin, i cili numëron qindra mijëra shqiptarë.