Atentati mafioz në Tiranë u 'shit' nga policia si një plagosje e rëndomtë

Hënë, 15 Janar 2024 12:21

Orëve të vona të së premtes, Policia e Tiranës bëri me dije se një person ishte plagosur në këmbë, por ishte jashtë rrezikut për jetën në spital.

Më pas shtonte se grupi hetimor gjendej në vendin e ngjarjes dhe po punonte për zbardhjen e ngjarjes.  

 

Por, konkretisht nuk u bë me dije se kush ishte personi i shënjestruar, madje shumë orë më vonë u mësua se bëhej fjalë për një atentat mafioz dhe madje mjeti i autorëve ishte gjetur duke u djegur në zonën e Yzberishtit.

Personi që për fatin e vet i shpëtoi asaj prite, në fakt ishte një emër jo dhe aq i njohur për historitë e tij, por në lidhje me atë çka përfaqësojnë njerëzit e afërt të tij në një nga përplasjet më gjakësore të viteve të fundit në vendin tonë, por edhe jashtë tij.

Zamir Kalemi u qëllua me breshëri kallashnikovi, nga një mjet në lëvizje, ai mundi t’u shmangej plumbave, duke mbetur i plagosur vetëm në këmbë. Policia kërkoi për më shumë se 24 orë për vrasësit, por si gjithnjë ata ikën në drejtim të paditur, duke iu lënë vetëm makinën e djegur në një tjetër lagje të Tiranës, jo shuma larg vendit të vrasjes.

Shënjestra mësohet se është djali i hallës së Aleksandër Sadikajt, të riut që u vra në një akt monstruoz në afërsi të TEG, pak kohë më parë. Policia dhe prokuroria duke tentuar të hetojnë vrasjen e tij me minë të telekomanduar, gjetën lidhje dhe fakte me ngjarje të mëparshme që shkonin deri në Greqi, por një atentat në Tiranë do të turbullonte edhe më shumë hetimet e tyre. më vonë lidhjet e fakteve dhe të informacioneve treguan se vrasjet ishin hakmarrje që vinin nga përplasjet e grupeve të Tepelenës.

Grupi hetimor që po heton atentatin e të premtes ndaj Zamir Kalemit, i cili mbeti plagosur, ka mundur t’i marrë detaje në dëshminë e 35-vjeçarit që mund të rezultojë indicie të rëndësishme për hetuesit që po merren me zbardhjen e ngjarjes.

Në dëshminë paraprake, marrë nga Policia e Tiranës, lidhur me dinamikën e ngjarjes por edhe dyshimet që ai mund të kishte mbi agresorët, burime konfirmojnë se Kalemi nuk ka përmendur emra konkretë, por kanë dhënë detaje me vlerë për policinë që të shkojë drejt identifikimit të autorëve. I plagosuri ka rrëfyer me detaje zonat ku ka lëvizur ditët e fundit, oraret dhe personat me të cilët është takuar. Nisur nga kjo shërbimet e departamentit të krimeve në Policinë e Tiranë kanë nisur kontrollin në terren dhe sekuestrimin e pamjeve filmike në zonat ku ka lëvizur i riu.

Në këtë mënyrë, blutë kërkojnë konstatimin e automjetit të përdorur në ngjarje, ndjekjen e lëvizjeve të tij apo personave të tjerë që mund të kenë qenë në rolin ndihmës, qoftë për sigurimin e informacioneve por edhe për dhënien e ndihmës për t’u larguar nga vendi i ngjarjes pas krimit. Një ditë më parë, policia vuri në dispozicion shifrën prej 15 mijë eurosh si shpërblim për këto jep informacion të vlefshëm. 

Login to post comments