Berisha: Blendi Gonxhe, një nga hajdutët më të neveritshëm të Shqipërisë, sot u bë superministër

Hënë, 15 Janar 2024 22:50

Kryetari i opozitës, Sali Berisha, në fjalimin e tij sonte u ndal edhe te miratimi i emrit të Blendi Gonxhes si ministër.

“Miqtë e mi, sot është një ditë e trishtë për vendin. 

Sot, një nga hajdutët më të neveritshëm, më të shpërfytyruar të Shqipërisë bëhet superministër me tre portofole.

Blendi Gonxhe është njeriu që përmbyti Tiranën, është hajduti që blinte pemë me 6500 euro copën. 

Është vjedhësi i neveritshëm që rikonstruktonte dy herë në vit zyrat e tij vetëm për të vjedhur.

Është njeriu që ndërtoi në një shërbim shumë të rëndësishëm për qytetarët, sistemin më të neveritshëm të sekserëve të tij, për t’i vjedhur, për të mbushur xhepat, për të pasuruar veten dhe familjen e tij.

Blendi Gonxhe është hajduti që përfundoi para pak muaj të ndërtojë ndërtesën e drejtorisë së tij me një kosto 1350 euro metrin katror. Natyrisht ai vodhi të paktën 70-80 përqind të kostos dhe asnjë diskutim me ato ai u bë ministër, sepse i ndau me bosin e tij, që ndan dhe pret, që vjedh edhe kur flen dhe ky është Edi Rama.

Miqtë e mi, fati i Shqipërisë, e ardhmja e Shqipërisë është në duart tuaja. Është në guximin tuaj. Në ndërgjegjen tuaj. Në qëndresën tuaj.

Me Edi Ramën, të ardhme nuk ka.

Me Edi Ramën ka vetëm vjedhje të zgjedhjeve, vjedhje të pasurisë kombëtare, vjedhje të buxhetit të shtetit, mashtrime, largim masiv të shqiptarëve nga Shqipëria.

Ndaj dhe është në duart tona, është në vullnetin tonë, është në guximin tonë, t’i japim atij përgjigjen e merituar.

Këtu para jush dhe në emër tuaj, do i çoj prapë një mesazh në Surrel, në Surrelin që nxin, në Surrelin e territ, në Surrelit të kryehajdutit të Kombit.

Edi Rama, kjo rrugë ka dritë, kjo rrugë ka shpresë, kjo rrugë nuk mposhtet, kjo është rruga e fitores, kjo është rruga e Shqipërisë, kjo është rruga e shqiptarëve.

Rrofshi ju, rroftë Shqipëria, fitore, fitore, fitore!” tha Berisha.

Login to post comments