Më 17 janar 1468, u nda nga jeta heroi ynë kombëtar Gjergj Kastrioti

E mërkurë, 17 Janar 2024 13:25

Më 17 janar 1468, u nda nga jeta heroi ynë kombëtar Gjergj Kastrioti, Skënderbeu.

Zot i Arbërisë, ashtu siç ai e nënshkroi veten, ai paraqet një epokë të tërë të historisë kombëtare në luftën shekullore kundër zgjedhës osmane, në mbrojtje të tokës, pasurisë e të lirisë.

Emri i tij na përfaqëson denjësisht në rrafshin e historisë botërore, si një figurë kyçe që i lidh shqiptarët me Perëndimin, botën e qytetëruar europiane.

Pavarësisht se ka jetuar para më shumë se 5 shekujsh, nderimi i shqiptarëve për të edhe sot mbetet i pakursyer! Monumenti i tij ngritet në Tiranë, Prishtinë, Shkup, Krujë dhe disa qytete të tjera. Emri i tij shënon shumë institucione arsimore, ndërsa është figurë për të cilën ende nuk rreshtin hulumtimet e studimet. 

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave me rastin e 556-vjetorit të ndarjes së tij nga jeta, e përkujton me dy fotografi të pikturave me portretin e Gjergj Kastriot Skënderbeut, tre ekzemplarë dekretesh të përgatitura në emrin e Gjergj Kastriotit të cilat ndodhen të ruajtura në AQSH, si dhe me një fotografi të një tabloje të titulluar "Skenderbeu gjatë një beteje".

Login to post comments