“Jemi në një situatë tërësisht reale dhe aspak imagjinare, por të paralajmëruar prej kohësh nga ish-Presidenti i Republikës, në atë të kapjes totale të shtetit dhe zerimit të pavarësisë të çdo institucioni të pavarur. Kemi përjetuar së bashku momente aspak imagjinare, por tërësisht reale, pasojat e të cilave po i vuan vendi sot.
Nuk ka qenë imagjinar betimi te noterja te Lana i një kandidateje për anëtare të Gjykatës Kushtetuese.
Nuk ka qenë imagjinare zgjedhje me 69 vota nën flakën e tymuesve të opozitës e Prokurores së Përgjithshme.
Nuk ka qenë imagjinare e gjithë kapja e sistemit të drejtësisë. Imagjinar është vetëm inceneratori i Tiranës, ndërkohë që biznesi vazhdon.
Një nga arsyet kryesore të kësaj politike ku ka hyrë politika shqiptare është pikërisht tmerri i Edi Ramës dhe i mazhorancës nga llogaridhënia, të cilën e garanton Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, të cilën e garantojnë dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
Por këtë llogaridhënie e minon përfundimisht ky ligj, i cili edhe njëherë tregon vendosmërinë e qeverisë për të pasur vetëm një qëllim madhor, korrupsionin galopant.
Partia e Lirisë është një parti e vendosur në të gjitha kauzat e opozitës për rivendosjen e normalitetit në Kuvend, për të tre ato çështje që dihen botërisht dhe njëra prej tyre është e drejta për të ngritur komisione hetimore dhe ushtruar të gjithë autoritetin që Kushtetuta i ka dhënë Kuvendit për të kontrolluar qeverinë,” tha Meta.
I pyetur nëse ka biseduar me kreun e opozitës shqiptare, Sali Berisha, Meta tha se përndjekja politike ndaj tij synon të minojë opozitarizmin në vend.
“Pa diskutim që kemi të bëjmë me një përndjekje politike dhe një përpjekje për të minuar opozitarizmin në vendin tonë.
Të gjitha këto diktohen nga Edi Rama përmes kapjes së sistemit të drejtësisë dhe përmes gjithë presioneve që ai ushtron në këtë drejtim dhe ne jemi shumë të qartë për sa i takon çështjes së reformës zgjedhore. Së pari, që Edi Rama nuk ka asnjë interes të bëjë reformë zgjedhore se nuk ka interes për zgjedhje të lira në vendin tonë,” tha Meta.