SHBA/ Ja si Rama lobonte te McGonigal për të goditur opozitën shqiptare

Tuesday, 23 Janar 2024 17:49

Sa më shumë ta gricësh, aq më i madh bëhet skandali i korruptimit të agjentit të FBI-së, Charles McGonigal, me qëllimin për të goditur opozitën shqiptare. Së fundi ka qenë Zëri i Amerikës që ka nxjerrë në dritë dokumente të reja që provojnë habinë e zyrtarëve të FBI, se çështja e hapur në SHBA, kundër lobistit të Lulzim Bashës, Nik Muzin dhe vetë ish kryedemokratit, ngjallte shumë dyshime dhe nuk e justifikonte hetimin.

Deri më tani dyshimet e ngritura kanë ardhur nga Tirana. Shpesh këtu është pyetur se si ka mundësi që dy ‘biznesmenë”, në punë të vet, Agron Neza dhe Dorian Duçka, të paguanin nga xhepi i tyre, për ti prishur punë Partisë Demokratike? Se si ka mundësi që të korruptuarin prej tyre, ta takonte edhe kryeministri Rama, madje ta shpallte edhe “mik personal”? Se si ka mundësi, që ish agjenti McGonigal, mori 225 mijë USD, menjëherë pasi u takua me Edi Ramën? Se si ka mundësi që me materiale kundër opozitës, dy biznesmenët, u furnizuan nga zyra e kryeministrit? Se si ka mundësi që Dorian Duçka, njëkohësisht edhe këshilltar i Ramës, i paguante shpenzimet e udhëtimit, atyre që dëshmonin në FBI kundër rivalëve politikë të qeverisë?

Këto pyetje kanë marrë gjithnjë të njëtën përgjigje logjike. Edi Rama kishte arritur të korruptonte agjentin e lartë të FBI-së, duke e përdorur për shkatërrimin e opozitës vendase.

Por kjo hipotezë që përforcohet gjithnjë e më shumë çdo ditë që dalin në publik fakte të reja, nuk është ngritur vetëm në Tiranë, por edhe përtej Atlantikut. Dosja e procesit të McGonigal, disa dokumenta të pabotuara të së cilës i ka nxjerrë në dritë Zëri i Amerikës, dëshmon pikërisht këtë. Tashmë është fakt i njohur se kur u pyet nga gjykatësja Colleen Kollar-Kotelly, nëse ishte përpjekur ta ndikonte prokurorin e Departamentit të Drejtësisë që të hetonte çështjen kundër opozitës shqiptare, Charles McGonigal u përgjigj “Po”.

Por e bukura e kësaj historie është se ata që duhej të hetonin konkretisht këtë dosje e kanë ndjerë se kjo çështje vinte erë. Se ajo kishte dyshime për lobim.

Në shkurt të vitit 2018, hetimi u hap për disa mospërputhje në plotësimin e dokumentave të FARA-s, pra ligjit për regjistrimin e lobistëve në SHBA. Por sapo ai filloi, vetë agjentët e FBI-së ngritën pikpyetje për rëndësinë e asaj që po bënin. VOA ka zbuluar një dokument të datës 16 mars 2018, pra një muaj pas hapjes së hetimit, ku një zyrtar i FBI-së ngre pyetjen se “pse në kushtet e burimeve të kufizuara dhe faktin që shumë zyra në terren kanë vështirësi të hetojnë kërcënime” më serioze, zyra e Nju Jorkut kërkon hapjen e një hetimi për të meta në regjistrimin si FARA, duke e paraqitur këtë si kërcënim për sigurinë kombëtare?”

Më tej, zyrari shkruan se kërkon që të jetë në gjendje t’u përgjigjet eprorëve nëse lindin pyetje. “Do të doja t’ju shpjegoja atyre se pse po punojmë për një çështje SIM/FARA të lidhur me Shqipërinë, kur çdo ditë unë luftoj për burime për disa çështje të sigurisë kombëtare që kanë lidhje me disa vende që paraqesin kërcënim të lartë si..”, thuhet në letër ku emrat e shteteve të përmendura janë të fshira. Pra konkluzioni është i qartë, në kushte normale FBI-a nuk do të merrej me këtë dosje pa rëndësi. Atë e mbante hapur McGonigal, falë parave që kishte marrë nga Tirana. Dhe kjo gjë përforcohet edhe më shumë, kur në dokumentat e gjykatës amerikane rezulton se FBI i mbylli hetimet, menjëherë sapo sponsorizuesi i tyre McGonigaldoli në pension.

“Vendimi për mbylljen e hetimit, që mban datën 25 korrik 2019, pas daljes në pension të zotit McGonigal, ku thuhet se “zyra e FBI-së e Nju Jorkut nuk ka arritur në përfundimin se —- (emër i redaktuar) ka kryer aktivitet kriminal ndërsa përfaqësonte një forcë politike të huaj dhe se kishte plotësuar dokumentacionin e duhur për FARA-n në Departamentin e Drejtësisë” thekson Zëri i Amerikës.

Pra një kronologji e shkurtër tregon se hetimi kundër PD-së në SHBA u hap pasi McGonigal mori paratë nga shqiptarët, se ai ndikoi në hetimin e çështjes, se ata që u morën me dosjen e quajtën atë të pavlerë, dhe se në fund e mbyllën, pasi McGonigal u largua nga detyra. Duhet shumë fantazi që pas kësaj të nxjerrësh alibi se gjithçka nuk qenkësh pilotuar nga Tirana.

Login to post comments