Kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka treguar prioritetet e në organizimin e opozitës në takimet në Shkodër me strukturat dhe këshilltarët e Këshillit Bashkiak të forcës politike që drejton, ku ndër kryesorët përmend mbështetjen e pensionistëve.
Meta thotë se duhet të merren masa për situatën kritike në të cilën ndodhen të moshuarit në vendin tonë.
“60% e shpenzimeve të një pensionisti shkon vetëm për ushqim. Ne kemi tani një prioritet shumë të rëndësishëm, mbështetjen e pensionistëve.
Nuk ka situatë më kritike, më të rëndë humane, është një situatë çnjerëzore në të cilën ndodhen pensionistët tanë. Nëse nuk ekziston një ndihmë nga një pjesëtar i familjes që punon jashtë apo këtu, ata janë krejtësisht të asfiksuar.
Ndaj dhe do t’i kushtojmë një vëmendje shumë të rëndësishme mbështetjes së tyre, trajtimit të tyre dinjitoz.
Janë rritur çmimet të paktën 50% për ushqimet në 2-3 vitet e fundit, ndërkohë që indeksimi është tërësisht i papërfillshëm, është tërësisht qesharak.”