Berisha: Pro-amerikanizmi i PD buron nga vokacioni perëndimor i kombit

E Enjte, 15 February 2024 11:07

Kryetari i PD, Sali Berisha tha gjatë fjalës së tij mbrëmjen e djeshme para qytetarëve, se, 20 shkurti është dita e Europës, është dita e qytetarëve shqiptarë për të çelur dyert e integrimit në Europë.

FJALA E PLOTË

 
 

Të dashur qytetarë dhe qytetare!

Vëllezër dhe motra, zonja dhe zotërinj, një përshëndetje të përzemërt ju, një përshëndetje të përzemërt popullit të 20 shkurtit, popullit të fitores.

Përshëndes oratorët që trajtuan sonte një problem që dëshmon dallimin e madh midis qytetarëve dhe barbarëve, midis qytetarëve që kanë përgjegjësi për vete, për fëmijët, për gjeneratat që vijnë dhe barbarëve që vjedhja i ka zhveshur nga çdo moral dhe vërsulen tani me tonelatat e parave të drogës, për të shkatërruar trashëgiminë shekullore mijëravjeçare. Për të shkatërruar trashëgiminë që brez pas brezi na u la ne, dhe detyra jonë është ta ruajmë, ta mbrojmë dhe tua lëmë brezave që vijnë.

Por barbari, i zhveshur nga çdo moral, i zhveshur nga çdo interes tjetër përveç drogës dhe krimit, çon në parlament ligjin për shkatërrimin e tyre, pasurive përrallore të këtij vendi. Atyre pasurive që e bëjnë Shqipërinë një prej vendeve më të pasura të botës.

Miqtë e mi!

Kjo betejë në çdo lloj prizmi dhe aspekti është shpëtimtare. 20 shkurti është dita e qytetarëve! Propaganda banale e Edi Ramës për të mbrojtur vjedhjet, aktet, skandalet e tij dhe të ministrave të tij, u bie nga mëngjesi deri në darkë borive, altoparlantëve se ne jemi njëlloj.

Nuk ka mashtrim më të madh se ky.

E vërteta është se ne jemi dy botë.  Njëra është bota e zezë e vjedhjeve, e krimit, e drogës, e vrasjeve. Është bota e zezë e skandaleve, e dështimeve, e dhunimit të pluralizmit, parlamentit, arrestimit të liderit të opozitës, e përzënies së shqiptarëve nga Shqipëria. Kurse dallimi i kësaj bote me botën tjetër që mbron vlerat, parimet e drejtësisë, e kohezionit, e interesit kombëtar, e lirive dhe dinjitetit njerëzor, është dallim si nata me ditën.

Të dashur miq!

Në 10 vite, Rilindja, fara më e ligë e 30 viteve që ka mbirë në këtë vend, ka bërë tre gjëra. Mashtrimet më të mëdha, vjedhjet më të mëdha, përzënien më të madhe të shqiptarëve nga Shqipëria.

Edi Rama erdhi në pushtet duke u premtuar shqiptarëve dhjetëra e dhjetëra mirësira dhe premtime me të cilat, zotohej se do ndryshonte rrënjësisht jetën e tyre.

Që të gjitha pa përjashtim u provuan mashtrime dhe akoma më keq, njeriu që premtoi shëndetësinë falas, solli atë shëndetësi në të cilën sot, secili prej jush paguan nga xhepi për kujdes shëndetësor, më shumë se çdo qytetar në Europë. Paguan nga xhepi 60 përqind të atyre që shpenzimeve që duhen. Paguan nga xhepi 50 përqind më shumë se sa ç’paguante në vitin 2013.

Erdhi në pushtet duke premtuar heqjen e TVSH-së për ushqimet, lirimin e tyre. Sot çdo shqiptar paguan, blen ushqime me 110 përqind të mesatares së BE, paçka se ata kanë rroga 5 herë më të larta se ne shqiptarët.

Rilindja ishte pra, mashtrimi më i madh i shqiptarëve. Nuk jemi njëlloj, jo kurrë, sepse ne premtimet i bëmë realitet. Premtuam rrogat, i dyfishuam. Premtuam Rrogën e Kombit, e  ndërtuam. Premtuam integrimin, u integruam.

Të dashur miq!

Edi Rama pasi erdhi në pushtet, u mburr me muaj dhe vite për inceneratorët, që do pastronin Shqipërinë. Në fakt, ajo do të ishte vjedhja më e madhe e shekullit. Atë që ky hajdut e quante krenaria e tij, do të ishte fatkeqësia e shqiptarëve.

Sot 130 milionë euro janë zhdukur, gjurmë inceneratori në Tiranë nuk ka, dy të tjerë nuk funksionojnë. Arben Ahmetaj e akuzoi dhe tha se, në qoftë se qytetarët do të dinë bëmat e Edi Ramës për djegësat e të tjera, do llahtarisen.

Nuk jemi njësoj, absolutisht kurrën e kurrës. Edi Rama është kryeministri më hajdut që ka pasur ndonjëherë Shqipëria.

Nuk jemi njësoj! Edi Rama vraponte nga studio në studio me pincën e thyer për të mbuluar vjedhjen e tyre me Ilir Beqën dhe muratorin e tyre, ndërkohë që çmimi rritje për sterilizimet 83 herë. Mijëra shqiptarë në muaj nuk futeshin në salla operacioni, sepse spitalet nuk blinin dot kompletet e sterilizimit për ta.

Nuk jemi njëlloj, sepse Edi Rama, vetëm procesin e hapjes së negociatave e festoi dy herë gjatë këtyre viteve me shampanjë, me dekorata, me fishekzjarre. Por në të vërtetë, edhe dhjetorin që kaloi, negociatat nuk u hapën, por përkundrazi Shqipëria mori 5 kushte.

20 shkurti është dita e Europës, është dita e qytetarëve shqiptarë për të çelur dyert e integrimit në Europë. Është dita për të goditur mashtrimet e Edi Ramës, vjedhjet e tij.

Miqtë e mi!

Nuk jemi njëlloj. Ne kishim mik presidentin e SHBA. Edi Rama krenohej me McGonigalin, shpallte mik McGonigalin.

Nuk jemi njëlloj, sepse ne me reforma të thella anëtarësonim Shqipërinë në NATO, Edi Rama organizonte protesta me portretin e Enver Hoxhës kundër anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.

Nuk jemi njëlloj kurrën e kurrës, sepse PD pas theemelimit të saj, përmbysjes së partisë komuniste, u shndërrua në lokomotivë të vërtetë të proceseve integruese. Pro-europeizmi, pro-amerikanizmi i PD buron nga vokacioni perëndimor i kombit shqiptar.

Për Edi Ramën, Rilindjen e tij këto janë thjesht gjethe fiku për të mbuluar vjedhjet e tij, për të mbuluar lidhjet e tij me krimin, për të mbuluar mjerimin e shqiptarëve, dëbimin e tyre nga Shqipëria.

Nuk jemi njëlloj, sepse ne kurrë nuk menduam ndonjëherë dhe nuk pranuam që të kthenim monizmin në Shqipëri. Nuk pranuam ndonjëherë të lobonim për kontrollin e opozitës, apo shkatërrimin e saj.

Përkundrazi, bëmë gjithçka të konsolidojmë vlerat e demokracisë. Ndërsa Edi Rama, duke kthyer votën në krim dhe krimin në votë, duke angazhuar paratë e krimit kundër opozitës, mohuar të drejtat kushtetuese në parlament të opozitës, arrestuar liderin e PD, bënë gjithçka për një Shqipëri pa opozitë.

20 shkurti është dita në të cilën tirani mori ndëshkimin, 20 shkurti është dita në të cilën Edi Rama duhet të marrë mësimin më të madh. Europa pret me padurim fjalën tuaj, fjalën e qytetarëve shqiptarë.

Miqtë e mi!

Nuk jemi njëlloj, sepse Edi Rama dhe fara e tij e keqe e Rilndjes, duke vjedhur, largoi shqiptarët nga Shqipëria më shumë se gjithçka tjetër.

Kurse ne, dyfishuam rrogat, dyfishuam pensionet, bëmë gjithçka për të bërë Shqipërinë një vend të jetueshëm. Dhe e vërteta është se u larguam nga pushteti në një kohë kur Shqipëria rritej nga viti në vit në popullatë. Në një kohë kur qindra mijëra shqiptarë u kthyen nga emigracioni për të ndërtuar në Shqipëri folenë e të ardhmes së tyre.

Nuk jemi njëlloj sepse për ne, beteja me zero tolerancë ndaj krimit, ishte ligji i pandryshueshëm. Një nga një bandat u shpërbënë, bosët e tyre u përballën me ligjin.

Edi Rama, i lidhur me krimin, drogën, liroi vrasësit serialë nga burgu. I mblodhi ata ku janë e nuk janë, i shndërroi në investitorë strategjikë. Dhe tani do t’i vërsulë si bisha kundër zonave të mbrojtura, pasurive përrallore të shqiptarëve.

Nuk jemi njëlloj, sepse ne besojmë të liria, te dinjiteti njerëzor. Besojmë te vota, te fjala e lirë. Në Rilindje, vota nuk ekziston më. Aty ka vetëm një votë, ka vetëm një zë, ka vetëm një njeri, dhe ky është padrinoja Edi Rama.

Nuk jemi njëlloj, sepse ne besojmë se Shqipëria është një vend me pasuri përrallore të cilët duhet ta gezojnë qytetarët shqiptarë, kurse Edi Rama kërkon që këto pasuri t’i gëzojë me familjarët, ministrat, banditët e tij.

Miqtë e mi!

Nuk jemi kurrë njëlloj. Sali Berishën me lobimin e tij korruptiv dy vendet më të fuqishme e kanë shpallur non grata, por nuk patur gjer sot, s’kanë treguar gjer sot një dokument të vetëm të faktojnë korrupsionin e tij.

Të dashur miq!

Në turpin e tij, në turpin e drejtësisë së tij, pasi dështoi të paraqesë qoftë edhe një fakt, ka paraqitur si dokument 410 metër katror tokë, trashëgimi e familjes së vet të marrë nga Abi Malltezi, njëri prej 300 pronarëve të asaj zone, apo njëri nga 510 mijë pronarë që morën në 6 vite, 1 miliardë e 577 milionë e 400 mijë metër katrorë tokë të tyre.

Nuk jemi njëlloj miqtë e mi, përkundrazi, sepse Sali Berisha pas 52 vitesh punë, flet sot para jush, para çdo shqiptari, me një apartament 30 metër katror më të madh se atë që kishte 40 vite më parë.

Kurse vjedhësi, hajduti Edi Rama zhgërryhet në sarajet e Surrelit, 720 metër linear themele, me një park oborr prej 5 mijë metër katror, në një kohë kur kishte deklaruar gjithsej 3800 euro dhe 400 mijë lekë kursime. Të gjitha të tjerat vjedhje, vjedhje, dhe vetëm vjedhje!

Nuk jemi njëlloj, sepse e tërë pasuria e tij dhe e bashkëshortes është siç thashë, ai apartament. Kurse zonja Rama solli në pajë pallatin 5-katësh të ndërtuar në kundërshtim me ligjet në sheshin e pallateve, pa asnjë faturë bankare, tatimore, ndërtimore, e tëra mbi krimin.

Nuk jemi njëlloj, se pas hetimesh në Shqipëri dhe mbarë botën, nuk gjetën dot një qindarkë, të cilën fëmijët e Sali Berishës, familjarët e tij ta kenë fituar tendera apo prokurime apo pasuri publike. Jo dhe jo. Dhe kurrë nuk do gjejnë.

Ndërkohë që kur të gjithë regjistrat e shtetit tregojnë se familjarët e Edi Ramës, se vajza e tij, se bashkëshortja e tij, se baxhanaku i tij, kanë fituar dhjetëra e dhjetëra milionë euro duke shfrytëzuar pushtetin, duke shkelur ligjet, duke shkelur Kushtetutën.

Nuk jemi njëlloj, ndaj dhe jemi krenarë sepse ne, në 8 vite ndërtuam Rrugën e Kombit, bashkuam Elbasanin me Tiranën, u ndërtua Kaskada e Devollit, u ndërtua TAP-i, vepra monumentale që i përkasin një shekulli.

Çfarë ka ndërtuar, çfarë ka bërë me 11 miliardë euro? Të gjitha i ka vjedhur, i ka shpërndarë me hajdutët e tij.

Nuk jemi njëlloj, sepse vërtet gjatë qeverisjes së PD kishte korrupsion, nuk mohohet, kishte defekte dhe të meta, por nuk kishte kurrë djegësa, sterilizatorë, check up, porti i Durrësit, Butrint, jo, jo, as nuk mund të imagjinoheshin.

Miqtë e mi!

Me 20 shkurt është dita e qytetarëve, është dita e triumfit të qytetarëve, është dita e ndëshkimit të Rilindjes për vjedhjet e tmerrshme që ka bërë.

Mos harroni se pro-europeizmi i tyre, pro-amerikanizmi i tyre nuk është gjë tjetër veçse gjethe fiku për të mbuluar vjedhjet, për të mbuluar krimet, për të mbuluar drogën.

Pa diskutim drejtësia kishte defekte dhe të metat e saj. Por më thoni ju mua, cilin amnistoi? Po në qoftë se thoni amnistoi një njeri, çfarë bëri Skapi i partisë që vendos në arrest kreun e opozitës për 410 metër katrorë tokë të trashëguar nga familja e dhëndrit të tij?

Asgjë nuk ekziston, një drejtësi sot e kontrolluar nga xhepi, e korruptuar kokë e këmbë. Një drejtësi vegël e verbër në duart e një klike hajdutësh, një organizatë e vërtetë kriminale me Dumanë, Krajë dhe kompani.

20 shkurti është dita e drejtësisë qytetare, është dita e triumfit qytetar, është dita e fitores!

Ndaj dhe ju bëj thirrje miqtë e mi, ju bëj thirrje qytetarëve shqiptarë, iu bëj thirrje emigracionit, diasporës, në 20 shkurt të vërshojmë në Tiranë. Më 20 shkurt të bashkohemi në Tiranë. Të bashkohemi kundër kësaj tiranie, që ka përmbysur votën, ka përmbysur Kushtetutën, ka përmbysur të drejtat. Shkelmon liritë e qytetarëve, grabit pasuritë, grabit xhepat e qytetarëve, grabit pasuritë publike.

Ky është regjimi më i shëmtuar që Shqipëria ka njohur në historinë e vet. Ka njohur diktaturë më të egër, por asgjë nuk e shkretoi këtë vend sa diktatura e bandave të Edi Ramës.

Më 20 shkurt të gjithë në shesh, edhe për ata 1 milionë shqiptarë që morën rrugët e dheut.

Edhe njëherë, ju përshëndes përzemërsisht, ju falënderoj me mirënjohje.

Ta shndërrojmë 20 shkurtin në ditën e fitores sonë, ditën e dinjitetit të shqiptarëve, ditën e rivendosjes së pluralizmit, ditën e lebetitjes së banditëve qeveritarë, organizatave kriminale me pushtet, ditën e Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Rrofshi ju, rroftë Shqipëria!

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...