Berisha: Amant Josifi dhe Olsi Rama vodhën 2 miliardë euro, por u morën nën mbrojtje absolute nga Altin Dumani

Diel, 18 February 2024 12:42

Kryetari i Partisë Demokratike ka sulmuar sërish Altin Dumanin, duke i thënë se ka marrë në mbrojtje Amant Josifin pasi në bashkëpunim me Edi Ramën u  vodhën 2 miliardë euro qytetarëve europianë, dhe i thashë që të arratisej.

Pjesë nga fjala e kreut të PD-së, Sali Berisha: 

Miqtë e mi, lufta kundër korrupsionit është jetikë, shpëtimtare për qytetarët shqiptarë.

Dhe ne e kemi bërë atë. Ju jeni dëshmitarë, pa hezitim, me vendosmëri absolute, me paanësi absolute, kemi denoncuar një nga një, aferat e tmerrshme, vjedhjet e shekullit. 

Kemi denoncuar djegësat, Portin e Durrësit, PPP-të, checkupin, sterilizimin, analizat, rrugët, dhjetëra e dhjetëra të tjera.

Por kemi denoncuar edhe korrupsionin shqiptaro-ndërkombëtar si një nga format më të rrezikshme, më të rrezikshme për korrupsionin.

Do ta denoncojmë gjer në fund, sepse korrupsioni nuk është vetëm shqiptar, korrupsioni është armik i demokracive kudo në botë.

Çfarë do të thotë kjo?

Amant Josifi, ortaku i Olsi Ramës, ju vjedh qytetarëve gjermanë, qytetarëve spanjollë, italianë, belgë, mbi 2 miliardë euro me callcenterat në ortakëri me Olsi Ramën.

Çfarë ndodh me këtë personazh?

Mbrojtje absolute nga Edi Rama dhe Altin Dumani.

A ka krim më të shëmtuar se ky?

Kur u kërkua arrestimi i tij, Altin Dumani me urdhër të Edi Ramës, deklaroi se krimi ka ndodhur tjetërkund.

Ky është një kriminel gjakftohtë. Kriminel!

Krimi kishte ndodhur në callcenterat e Tiranës, të patronuar nga Olsi Rama, të cilët mashtronin pensionistët, qytetarët gjermanë, spanjollë, blini Bitcoine se do ua marrim me 20 përqind më shumë dhe ua vidhnin monedhën dhe i çonin në Dubai.

Ne e denoncuam dhe do e denoncojmë dhe i themi Dumanit se do përgjigjesh gjer në një për këtë amnisti kriminale që mban për Edi Ramën.

Miqtë e mi, a ka krim më të shëmtuar se kjo?

Erdhën prokurorët gjermanë, çfarë bëri Dumani me shokë? I mori dhe i dërgoi në callcentera, ku punonjësit nuk dinin asnjë fjalë gjermanisht. I morën ata dhe i rrasën në burg si derr në thes dhe janë akoma atje, pa kryer asnjë operacion. Sepse nuk ishin callcenterat e Amant Josifit dhe Olsit.

Pra, a mund të heshtim ne? Kurrën e kurrës, të gjithë në shesh në mbrojtje të të vërtetës.

Login to post comments