Kryetari i Partisë së Demokratike, Sali Berisha, gjatë fjalës së tij ka mbajtur një minutë heshtje për 22 intelektualët e vrarë në 26 shkurtin e vitit 1951.
Berisha i ka përmendur emër për emër të gjithë intelektualët e vrarë nga regjimi komunist.
Pjesë nga fjala e kreut të PD-së, Sali Berisha:
Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të pëzemërta, mirënjohjen më të pakufishme ju qëndrestarëve, misionarëve të lirisë, dinjitetit, shpresës, që rrezatoni dritë, besim, urtësi, vendosmëri në të katër anët e vendit, nga parlamenti juaj i lirisë në Rrugën e Shpresës.
Dua të përshëndes me nderim të madh oratorët për fjalët e tyre të shkëlqyera, por sonte do më lejo të përshëndes në mënyrën më të veçantë Artemisën dhe Orgestin, që përfaqësojnë gjimnazistët e Shqipërisë, përfaqësojnë ata të cilët do jenë së shpejti në krye të lëvizjes, të revoltës, të betejës pa kthim kundër diktaturës së re.
Të dashur miq, 26 shkurti është në historinë e Shqipërisë, dita e njërit prej krimeve më të shëmtuara që ka njohur Shqipëria apo ndonjë vend tjetër në diktaturë.
Dita në të cilën 22 intelektualë të shquar të kombit, të diplomuar në tërësi në universitetet më të mira të perëndimit, kundërshtarë të pamposhtur të regjimit komunist, u ekzekutuan pa gjyq.
U pushkatuan në një fshat në afërsi të Tiranës vetëm e vetëm sepse ata nuk mund të pajtoheshin me shtypjen, me mohimin e fjalës së lirë.
Nuk mund të pajtoheshin kurrë me drejtësinë e re të diktaturës komuniste.
Nuk mund të pajtoheshin kurrë me mohimin e të drejtës së fjalës, të drejtës së pronës, të drejtave themelore të njeriut.
Ndaj dhe ata pa proces gjyqësor, pa asnjë proces gjyqësor, në një rast unik, të gjykuar pasi ishin pushkatuar dhe groposur në një gropë të përbashkët, ranë si misionarë të pamposhtur në mbrojtje të vlerave dhe idealeve më të larta njerëzore.
Ata ishin studiues, mësues, shkrimtarë, publicistë, inxhinierë, mjekë, atdhetarë të vërtetë, intelektualë të vërtetë.
Sabiha Kasimati, Tefik Shehu, Hekuran Troka, Luka Drashkoviç, Hakik Koka, Pandeli Nova, Thoma Katundi, Fadil Dizdari, Ali Qeralliu, Jonuz Kaceli, Gafur Jegeni, Petrore Konomi, Zyhdi Herri, Niko Lezo, Myftar Jegeni, Qemal Kasorohu, Manush Peshkëpia, Andon Derhysa, Reiz Selfo, Pjerin Guraziu, Gon Temali, Mehmet Shkupi.
Le të nderojmë me një minutë heshtje martirizimin e tyre për lirinë dhe të drejtat njerëzore, për interesin e kombit për një Shqipëri të lirë.