SPAK urdhëroi sot arrestime në Bashkinë e Tiranës në kuadër të hetimeve për dosjen “5D”.
Ajo që tërheq vëmendjen është fakti se arrestimet ndodhën pak orë pas denoncimit për përfshirjen e Olsi Ramës, vëllait të Edi Ramës, në atë që njihet si dosja “Xibraka”.
E ndërsa Gazment Bardhi, kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, publikoi sot disa dokumente që i referoheshin sistemit TIMS mbi lëvizjet e Olsi Ramës, duke përdorur të njëjtin automjet, me të akuzuarit e dosjes së Xibrakës, duket se nga sirtarët e SPAK u nxorën urdhër-arrestet për drejtorët e Veliajt.
Duket si një skenar, por përsa kohë drejtësia vepron me regji, ekzistojnë të gjitha mundësitë që për të sfumuar denoncimin për Olsi Ramën, duhej të realizohej një goditje, dhe në këtë rast u zgjodhën drejtorët e Veliajt. Jo se këta nuk e meritonin të arrestoheshin, pasi pritej prej kohësh një goditje e tillë, por duket se u zgjodh një moment deçiziv, për të sfumuar sa të mundet emri i Olsi Ramës
Arrestimi i drejtorëve të Veliajt nga SPAK kishte kohë që përflitej, e ndërsa pritej të bëheshin goditjet në Bashkinë e Tiranës, Prokuroria Speciale njoftonte arrestimin e drejtorëve që ishin nën varësinë e Belinda Ballukut.
Drejtorët e Veliajt ishin denoncuar në atë që njihet dosja “5D” dhe një ditë më parë, Belind Këlliçi, anëtari i Kryesisë së PD-së, që kishte depozituar në SPAK edhe kallëzimet penale, i kërkoi Prokurorisë Speciale që të çonte para drejtësisë Kryebashkiakun me gjithë hajdutët e tij.
Nëse sot nuk do të dilte denoncimi për Olsi Ramën, ndoshta as SPAK nuk do të nxirrte nga sirtarët urdhër-arrestet për dy nga drejtorët e Veliajt, Mariglen Qaton dhe Redi Mollën, apo ti jepte një tjetër masë arresti me burg, Taulant Tushës, që ndodhet i arrestuar në kuadër të hetimeve për inceneratorin e Tiranës.
Momenti kur SPAK goditi me arrestimin e drejtorëve të Veliajt ishte pikërisht ai kur mediat, ata që kryesisht kontrollohen nga Erion Veliaj, po i bënin jehonë denoncimit për Olsi Ramën. Befas lajmi i parë që përfshiu mediat ishte pikërisht arrestimi i drejtorëve të Veliajt, madje bashkë me detaje, që njërin e kishin kapur në shtëpi, ku edhe i kanë vendosur prangat.
Dhe nuk është çudi që për të sfumuar deri në fund implikimin e Olsi Ramës në atë që njihet si dosja Xibraka, SPAK të çojë më lart stekën e arrestimeve në Bashki, ku natyrisht i rrezikuari është Veliaj, emri i të cilit del pas çdo vendimi të firmosur ose jo prej tij, të zbatuar nga drejtorët e besuar, që sot i ka në qeli.