A duhet të kërkojnë falje çingijet që bënë thirrje për të votuar Veliajn?

Hënë, 01 Prill 2024 21:46

A e mbani mend Eneda Tarifën kur çirrej: “Nëse do kishte bërë nëna nja tre si Erion Veliaj, nuk e di ku do të ishim këtë 4-vjeçar“? A ju kujtohet demokratja Çilieta Xhilaga, kur e kthente pllakën: “Lali Eri është nga ata djem që di t’i fitojë zemrën rinisë dhe ma ka fituar zemrën dhe mua”? Po Ermal Mamaqi që dikur këndonte për Sokol Olldashin e tani thoshte: “Me lalin në krye ndryshimi është bërë i prekshëm në çdo rrugicë dhe cep të qytetit”.

Natyrisht nuk mund të harrohet Kastro Ziso që pohonte me mburrje se kishte lënë alkoolin dhe LSI-në dhe i kishte qartësuar idetë sepse “tani i kanë ardhur trutë” dhe merrte nga dora e kryebashkiakut tesrën e PS.

As Noizy me stilin e tij: “puna flet vetë, për gjithë këto vite që e ka kthyer Tiranën në një qytet Europian. Dikur më vinte turp të sillja shokët e mi ose miqtë e mi që vinin nga jashtë, në Tiranë t’u tregoja që ky është kryeqyteti im”.

Aq më pak Alban Skënderaj që i quantë qora dhe shurdhë ata që s’dinin të vlerësonin madhështinë e Veliajt: “Unë kam përshtypjen që puna në Tiranë flet vetë. Kush ka sy të shikojë, shikon dhe kush ka veshë të dëgjojë, dëgjon”.

Natyrisht, kush ka pasur sy dhe veshë e ka ditur dhe kritikuar që më parë atë që dosja hetimore kundër njërëzve më të ngushtë të Veliajt, drejtorëve të tij në bashki dhe drejtuesve të fushatës së tij elektorale ka bërë të qartë për të gjithë. Bashkia e Tiranës ka qenë një bandë e madhe grabitjeje, ku ata që kishin në dorë të firmosnin, i jepnin tenderat dhe punët publike kompanisë që kishin ngritur vetë, “5D”. Pra që nga viti 2016 e mbrapa godina e njeriut të punës ka qenë ajo e pasurimit të disave në kurriz të të tjerëve, duke bërë aq para sa për të blera vota, mbështetje, madje dhe klounë cirku.

Por lista nuk përfundon këtu. Rolin e shejtan budallait e patën bërë edhe Marsela ÇibukajAnxhela PeristeriCapital TRovena DiloIlir ShaqiriElhaida Dani etj. Ata e kishin rrugën të shtruar. Më parë aktorët e teatrit, bura të thyer në moshë e me peshë në skenë, hoqën dorë nga mbrojtja e kauzës së tyre për bakshishet e financimit të shfaqeve që u sponsorizonte Bashkia e Tiranës. Edhe këngëtarët, estrataxhinjtë, ndoqën të njëjtin biznes fitimprurës gjatë fushatës së fundit. 

Rruga më e kollajshme për para të lehtë kalonte nga Lali Eri. Që gjatë garës elektorale u bë publike një faturë 50 milionëshe e koncertit të Noizit, njërit prej mbështetësve më të zëshëm të Veliajt në fushatë. Ai i kishte përlarë këto para ndonëse koncerti ishte me bileta me pagesë. 

Për kaq, larja e borxhit me një mesazh se për kë duhet votuar në instagram është kostoja më e vogël e mundshme.

Ndonëse qëllimi i shumicës prej këtyre njerëzve të spektaklit ka qenë i qartë, deri më tani ata kanë pasur një justifikim. Ata bënin thirrje pro Veliajt sepse shihnin tek ai “njeriun e punës”. Pyetja është: po tani që doli në dritë të djellit se ai ka qenë në majën e piramidës të një bande grabitësisht, a do të kërkojnë falje ata që bënë thirrje për të votuar Veliajn dhe e mbështetën atë me mesazhe publike?

Një shprehje e njohur thotë se të gabosh është njerëzore, ndërsa të kërkosh falje është hyjnore. A do dinë të ngrihen në të tillë lartësi çingijet e Lalit? Pak kush e beson këtë, sepse veprimet e tyre më shumë sesa pasojë e një gabimi ndoshta kanë qenë efekt i një shpërblimi. 

Login to post comments