Petrit Vasili, deputeti i Partisë së Lirisë, ka dalë në mbështetje të fortë të qytetarëve që protestuan përsëri dje përpara bashkisë së Tiranës, ku është shpalosur tashmë publikisht, një nga skemat më të sofistikuara të vjedhjes së miliona eurove para publike. Pesë drejtorë, bashkëpunëtorë të ngushtë të kryebashkiakut Erion Veliaj janë arrestuar nga SPAK.
Gjatë një interviste sot në SYRI TV, z. Vasili ndër të tjera tha:
“Protesta e djeshme ishte pa diskutim një kulm i ri në protestën qytetare ndaj një korrupsioni dhe një grabitjeje të paparë dhe të padëgjuar në dekada të tëra, në dhjetëra vjet dhe sigurisht që mllefi, pakënaqësia dhe zemërimi u shfaq.“
“Natyrisht që këta qytetarë kanë të drejtën t’ia vënë 'flakën' kësaj bashkie, se kjo është bashki e poshtër, të cilën as edhe vdekja nuk e bën të tronditet sadopak, jo më jeta. Për këtë bashki, për këtë kryetar bashkie, qytetarët e Tiranës janë zero, janë hiç, nuk ekzistojnë!
Po qytetarët e Tiranës nuk janë zero, nuk janë hiç dhe ne i treguam me fuqinë e fjalës, me fuqinë e veprimit, me të gjitha fuqitë e tyre, që i kanë shumë të mëdha sesa ato që keni parë dje, që ata janë ca minj përpara qytetarëve.
Qytetarët kanë pritur me durim, kanë pritur se kanë kujtuar se kjo drejtësia e re e cila është reklamuar në shqip e në anglisht, kemi parë kushedi sesa ndërkombëtarë të pacipë që mbrojnë një gjë që nuk mbrohet, kjo ngrehinë e kjo gërmadhë që vetëm betonon pandëshkueshmërinë atje, të Ramës dhe të Veliaj - e shikojnë sesi një hajdut rri në krye të bashkisë , bën sikur e bën reklama e del në televizor ndërkohë që i vjedh dhe i plaçkit qytetarët e Tiranës ditë për ditë.
Ajo që qytetarët e Tiranës kanë bërë dje, për sa i takon xhestit të tyre të djegies, ka qenë fare simbolik, sepse janë në të gjithë e drejtën e Zotit të tyre të bëjnë shumë më tepër se aq se një maskara u vjedh paratë dhe u ka vjedhur të gjithë pushtetin, që është pushteti i qytetarëve, nuk është pushteti i tij”.