Dy nga ekspertët më të mirë italianë të luftës kundër krimit të organizuar dhe mafias, Nikola Gratieri dhe Francesko Mandoi, kanë nxjerrë lakuriq të gjithë propagandën e qeverisë shqiptare për suksese në luftën kundër korrupsionit.
Gratieri, Prokurori i Anti-Mafias në Napoli dhe në nja shënjestrat kryesore lëvizëse të klanit mafios Ndrangheta, thotë se “mafia shqiptare është e fortë, pasi nis nga një shtet me korrupsion të përhapur gjerësisht”.
Këto komente Gratieri i dha për emisionin “Report”, të publikuar mbrëmjen e së Dielës (21 Prill) në Rai Tre.
“Organizatat kriminale që vijnë nga Shqipëria janë të pasura, të forta dhe të fuqishme. Mafia shqiptare tashmë është strukturuar dhe arrin të bashkëveprojë me Ndrangheta-n”, thotë Gratieri.
Shefi i Anti-mafias së Napolit vijon më tej me komentet e tij për grupet kriminale shqiptare. “Prej disa vitesh, mafian shqiptare e shohim në Amerikën e Jugut. Ajo është e aftë që të sjellë, në mënyrë autonome, tonelata me kokainë në Itali dhe në Europë”.
Ndërsa Francesko Mandoi, një ish-magjistrat i njohur i Anti-Mafias italiane, i cili gjatë viteve të fundit ka shërbyer si nyje lidhëse mes autoriteteve gjyqësore shqiptare dhe atyre italiane, pranë Ministrisë së Drejtësisë në Tiranë, vë theksin tek një tjetër problem i mprehtë, që lidhet me mënyrën e zbatimit të Reformës në Drejtësi në Shqipëri.
“Ka diçka absurd. Kontrolli i magjistratëve nuk bëhet nga Këshillat gjyqësorë dhe prokurorialë. Vetingu i tyre realizohet nga disa trupa, që përdorin informacione policore. Pra, kontrolli i një prokurori vjen nga polici, i cili, në aspektin procedurial, është më poshtë se sa prokurori,”, thotë Mandoi për “Report” në Rai Tre.
Sipas tij, Reforma në Drejtësi “ka krijuar një presion të madh mbi magjistratët” dhe “qeveria ka zhvilluar gjueti shtrigash ndaj magjistratëve që nuk i pëlqejnë”.