Media greke “Protothema” shkruan se deri më tani nuk ka asnjë hapësirë të rezervuar për takimin e kryeministrit shqiptar.
“Edi Rama është ‘i pastrehë’ deri tani, pasi rezervimi i Stadiumit të Paqes dhe Miqësisë duket se nuk po ecën mirë për t’u grumbulluar aty. Kërkimi për një hapësirë kishte nisur me Teatrin e Krishtlindjes, por që u bllokua me kërkesë të kryebashkiakut”, shkruan Protothema.
Artikulli vijon duke thënë se deri mëngjesin e sotëm, shqiptarët në Athinë nuk kishin bërë kërkesë zyrtare me shkrim për të rezervuar një hapësirë dhe të mblidhej bordi ta shqyrtonte.
Sipas Protothema, një mundësi është salla “Melina Merkouri” që ka një kapacitet të vogël prej rreth 1000 personash, por kërkesa nga pala shqiptare është për një sallë me 4000-5000 vende.
“Pala shqiptare kërkoi verbalisht stadiumin e Olympiakos, por nuk e bënë kërkesën me shkrim”,shkruan Protothema.
Një ditë më parë, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis tha se vizita në Athinë e Ramës është e panevojshme, megjithatë shtoi se nuk mund ta pengojnë.
Pas Mitsotakis reagoi edhe kryeministri Edi Rama, që theksoi se vizita e tij në kryeqytetin grek nuk ka lidhje me çështjet e brendshme të Greqisë, zgjedhjet për Parlamentin Europian apo ndonjë narrativë tjetër specifike që zgjon interesin e politikanëve grekë.
Kreu i qeverisë thotë se vizita e tij ka qenë e planifikuar prej kohësh dhe bëhet për t’u angazhuar me shqiptarët që jetojnë jashtë vendit e për të ndarë me ta krenarinë e atdheut dhe vizionin “Shqipëria 2030”.