Nga Uashingtoni ku ishte pjesë e një tryeze diskutimi në Institutin “Hadson” mbi shqetësimet e rajonit, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, akuzoi Serbinë se është kthyer në satelit të Rusisë dhe Kinës, por edhe Iranit, duke u kthyer kështu një një kërcënim jo vetëm për Kosovën, por edhe për gjithë rajonin e Ballkanit.
Duke iu përgjigjur shqetësimeve të shumta të të pranishmëve në takim, Gërvalla u shpreh se “Serbia jo vetëm sulmon shtetet fqinje, siç ishte rasti me 24 shtatorin të vitit të kaluar në Kosovë, por edhe i garanton Rusisë, Kinës dhe tashmë edhe Iranit hapësirë të mjaftueshme për të vepruar në Europë nga thellësia e Ballkanit Perëndimor”.
Në këto kushte, vijoi ministrja e Kosovës, demokracitë perëndimore duhet të ndryshojnë strategjitë e tyre në raport me Serbinë, të cilën e cilësoi gjithashtu si “kundërshtaren më të fuqishme të vlerave Perëndimore dhe demokratike në Europë”. Në takimin “Synime dhe shqetësime Rajonale”, përkrah saj ishin politikanë, diplomatë dhe analistë të njohur ndërkombëtarë.