Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha i ka bërë thirrje çdo demokrati që ende nuk është bashkuar me selinë blu, se e kanë derën e hapur.
‘Dera është e hapur për kontributin dhe mendimin ndryshe të garantuar për çdo demokrat! Sot nuk ka fituar Berisha, por ka fituar demokracia’, u shpreh Berisha në tubimin qytetar që zhvillohet në mbështetje të tij në ‘Rrugën e Shpresës’.
Berisha: Miqtë e mi, kam marrë me qindra e e mijëra mesazhe.
Por do u citoj vetëm dy prej tyre. Njërin e kam nga Shqipëria, një avokat i vërtetë i demokracisë dhe vlerave të saj, publicist, shkrimtar, më shkruan se u gëzova aq shumë nga ky lajm, saqë përqafoj çdo njeri që më del përpara në rrugë.
Mesazhi tjetër vjen nga njëra prej mikeve më të shquara të këtij kombi, e cila shkruan se pasi mora këtë lajm, u shkreha në lot për Shqipërinë dhe shqiptarët nga gëzimi.
Sot është dita të përulem me respektin më të madh përpara çdo demokrateje e demokrati që shkroi historinë në Kuvendin e 11 Dhjetorit, të shpëtimit të opozitës në Shqipëri!
Kjo nuk është historia e Sali Berishës, por historia e demokracisë dhe opozitarizmit, është mishërimi i aksiomës se Zoti është me qëndrestarët, me guximtarët! Lavdi Zotit!
Askush nuk e ka provuar vërtetësinë e kësaj aksiome se sa ne, demokratët shqiptarë.
E provuam gjatë 30 viteve, në fillimet e pluralizmit dhe rrëzimin e diktaturës.
E provuam në vitin 1997, gjatë rebelimit komunist kur u ngritëm si Feniksi nga hiri dhe u rikthyem përsëri.
E provuam këto dy vite, pavarësisht presionit, padrejtësive e kërcënimeve, ne ia dolëm të mbetemi të lirë, të mos kapemi, të mos shitemi dhe të mbi të gjitha të mos zhdukemi.
Qëndruam për FLAMUR!
Qëndruam për FLAMUR!
Në këtë flamur sot valëvitet demokracia.
Në këtë flamur sot valëvitet liria.
Në këtë flamur sot valëvitet shpresa.
Në këtë flamur sot valëvitet beteja dhe fitorja e ardhshme.
Ky flamur sot është një mësim që çdo betejë mund të fitohet. Dhe çdo e keqe mund të kapërcehet!
Sot është dite e mirë për çdo demokrat e demokrate që nuk është me Sali Berishën, por që është me Partinë Demokratike, me flamurin e saj, pasi ky flamur fshin çdo pengesë, çdo ndarje të tyre me shumicën e vëllezërve dhe motrave!
Dera është e hapur për kontributin dhe mendimin ndryshe të garantuar për çdo demokrate dhe demokrat!
Sot nuk ka fituar Sali Berisha, por ka fituar demokracia. Sot ka fituar çdo shqiptar që beson se me pluralizmin e marrë peng, liria nuk ekziston. I vetmi i humbur sot është Edvin Kristaq Rama.