Partia Demokratike dhe Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit kanë njoftuar për këtë të premte zhvillimin e një tjetër protestë kundër skandaleve të korrupsionit që shkaktoi dosja e drejtorëve hajdutë të Bashkisë së Tiranës, të cilët përmes kompanisë famëkeqe “5D” vidhnin paratë publike përmes tenderave abuzivë.
Opozita pritet të mblidhet në orën 11.00 para Bashkisë së Tiranës dhe kjo është protesta e dytë brenda javës, pas asaj të ditës së hënë ku u shënuan edhe përplasje mes policisë dhe protestuesve.
THIRRJA E NËNKRYETARIT TË KËSHILLIT BASHKIAK TIRANË
Pak orë para protestës së radhës, një thirrje për bashkim të shtuar të qytetarëve në shesh do të vinte nga nënkryetari i Këshillit Bashkiak Tiranë, Dorjan Teliti, për të kërkuar dorëheqjen e Kryebashkiakut, që sipas tij, fshihet nga përballja me të vërtetën, qytetarët dhe opozitën.
“Të bashkuar në flamur, të gjithë bashkë në protestë”!, shkruan ai.
Në 11.00 të protestojmë të bashkuar në një flamur bashkë me qytetarët, të protestojmë deri në dorëheqjen e Kryebashkiakut që fshihet nga përballja me të vërtetën, qytetarët dhe opozitën”, apeloi Dorjan Teliti.