Lideri i opozitës, Sali Berisha ka uruar kombëtaren e futbollit në kompeticionin evropian EURO2024 dhe i ka bërë thirrje tifozëve kuqezi që të reagojnë nqs shohin Ramën dhe bandën e tij në stadium.
‘Në rast se Rama me bandën e tij duket në stadium, slogani juaj duhet të jetë: Rroftë kombëtarja, poshtë hajdutët!’, u shpreh Berisha në fjalën e tij gjatë protestës në ‘Rrugën e Shpresës’.
Berisha: Miqtë e mi, nesër është një ditë shumë e veçantë për futbollin shqiptar dhe për shqiptarët.
Le të urojmë ne nga zemra ekipin tonë kombëtar, lojtarët, kapitenin, trajnerin Silvinjo, federatën për suksesin që meritojnë.
Ata siç e dini, janë në grupin e më të fortëve. Por në fakt aty e kanë vendin, aty u takon dhe u uroj shumë suksese nesër.
Uroj tifozët kuqezi, mirënjohje për Gjermaninë që anuloi përdhosjen e simboleve dhe himnit të tyre nga kryehajduti i kombit, Edi Rama.
Fansat kuqezi janë energjia e pashtershme e ekipit tonë.
Iu bëj thirrje në rast se Edi Rama me bandën e tij duket kund në stadium, slogani juaj duhet të jetë: Rroftë kombëtarja, poshtë hajdutët! Jashtë hajdutët!
Se kështu ju zhvilloni mbështetjen më të fuqishme për ekipin, por edhe për kombin aty ku jeni.