Motra e avokatit Sokol Mëngjesi, znj. Ailda Mëngjesi, ka shpërndarë këtë mëngjes në rrjetet sociale një lajm të mbushur plot shpresë për rimëkëmbjen e vëllait të saj, avokatit të mirënjohur, i cili gjendet në një spital në Greqi për t’u kuruar pas dhunës barbare që u ushtrua mbi të disa ditë më parë.
"Sytë e tij të zgjuar u zgjuan nga kjo ëndërr e keqe", shkruan znj. Mëngjesi ndër të tjera ndërkohë që publikon një fotografi të të dyve.
Ajo ka përcjellë një mesazh falënderimi të fuqishëm, plot emocion dhe mirënjohje, për qytetarët shqiptarë në të gjithë botën, të njohur dhe të panjohur siç shprehet ajo, për dashurinë e pabesueshme dhe mirësinë që kanë treguar në momentet më dramatike që përjetoi familja e tyre. Në vijim, mesazhi i saj publik.
Nga Ailda Mëngjesi:
"Në emrin e vëllait tim të shtrenjtë, në emër të prindërve të mi heronj, në emër të Anxhelës së dashur dhe ëngjëjve tanë të bekuar dhe me gjithë qenien time, do të doja t’ju falenderoja nga zemra çdonjerin prej jush, të njohur e të panjohur që e mbuluat Sokolin me një mburojë të papërshkruar dashurie njerëzore, derisa sytë e tij të zgjuar u zgjuan nga kjo ëndërr e keqe.
Zoti ka mënyrat e tij për të na provuar ekzistencën e gjithëfuqishme, nëpërmjet mrekullive që bën herë pas here me njerëzit dhe ai do e ngrejë Sokolin në këmbë!
Në këto ditë të kobshme, që kane zgjatur si muaj, kemi mësuar se asgjë nuk vlen sa fuqia e mbinatyrshme e dashurisë njerëzore që u derdh mbi të dhe mbi ne në një mënyrë të papërshkruar me fjalë!
Drita e qirinjve të ndezur në të katër anët e botës, drita e çdo lutjeje të pëshpëritur nga buzët e dridhura dhe drita e mirësisë qofte me ju çdo çast dhe mbretëroftë e mira në jetën dhe në shpirtin tuaj! E mira nuk humbet!"