Koordinatori rajonal i PD-së për Tiranën, Klevis Balliu, gjatë një deklarate për mediat nga selia blu, ka denoncuar nepotizmin në Bashkinë e Tiranës.
Sipas Balliut, motra e Drejtoreshës së Përgjithshme në Drejtorinë e Promovimit të Qytetit pranë Bashkisë së Tiranës, ka fituar milion lekë tendera nga Erion Veliaj.
Deklarata e Klevis Balliut:
Në Bashkinë e Erion Veliajt, vjedhja dhe abuzimi i fondeve të qytetarëve të Tiranës është kthyer në rutinë.
Lal djegësi ka ngritur një sistem monstruoz korruptiv ku drejtorët dhe punonjësit e tij i japin tendera familjareve të vet. Fakti që kjo është një përsëritje e vazhdueshme tregon qe është sistemi i ngritur. Patjetër si në çdo institucion nuk mund të ndodhë as një procedurë pa titullarin.
Ajo çka është më tronditëse është amnistia që i është bërë Erion Veliajt nga organet e drejtësisë, është i turpshëm gjunjëzimi i drejtësisë përballë Veliajt.
Drejtësia në dorë të partisë që mban nën arrest liderin e opozitës, pa as një fakt dhe pa as një akuzë nuk mban nën arrest Veliajn, i cili ka një mal me prova dhe fakte si dhe akuza konkrete.
E në fakt si rrjedhojë Veliaj vazhdon me sistemin e ti prej kryehajduti.
ANK ARCITECTURE sh.p.k është subjekti në pronësi të Albana Koçollarit, motra e Mirela Koçollarit me detyrë Drejtoreshë e Përgjithshme në Drejtorinë e Promovimit të Qytetit pranë Bashkisë së Tiranës.
Kjo e fundit ka përfshirë kompaninë e motrës së saj duke lidhur kontrata me Bashkinë e Tiranës konkretisht:
1. Kontrata e datës 13 dhjetor 2019 me objekt:
Konsulencë-ekspertizë për vlerësimin e objekteve të dëmtuara nga tërmeti shkolla e mesme "Sami Frashëri’.
‘Procedurë me negocim pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës me rrugë shkresore’, në mbështetje të Vendimit të Këshillit të Ministrave numër 750, datë 27.11.2019 ‘Për shpalljen e gjendjes se fatkeqësisë natyrore në qarqet Durrës dhe Tiranë’ pika 7.1 gërma dh) përjashtimisht, procedurat e prokurimit për mbulimin e nevojave emergjente, si rezultat i dëmeve te shkaktuara nga tërmeti i datës 26 nëntor t’i zhvillojnë në rrugë shkresore)
Vlera e kontratës 4 950.000 lekë me TVSH
2. Kontrata e datës 5 qershor 2020 me objekt:
Studim Projektim për Objektet Arsimore, në kuadër të procesit të rindërtimit, Tiranë, të ndarë në lote: Loti i VII: Studim projektim per objektin: Ndërtimi i shkollës së mesme ‘Sami Frashëri’. (Programi i Rindërtimit)
Vlera e kontratës 3.609.225 lekë me TVSH.
3. Kontrata e datës 4 shkurt 2021 me objekt:
Loti I: Studim projektim,për objektin: ‘Rikualifikim bllokut që kufizohet nga ‘Teodor Keko’, ‘Tom Plezha’, ‘Mikel Maruli’ dhe ‘Loni Ligori’
Vlera e kontratës 3.738.000 lekë me TVSH.
Përveç kontratave të mësipërme të denoncuara edhe më parë edhe në media, në datën 7 qershor 2024 Erion Veliaj paguan motrën e drejtoreshës së tij për kontratën nr.14214/11 me objekt: ‘Studim projektim ndërtim qendra polifunksionale faza 1 + faza 2 + faza 3 në vlerën totale 7.141.200 lekë
Te bashkohemi të premten në orën 11:00 kundër korrupsionit dhe hajdutëve të parave të qytetarëve.
Të premten në ora 11:00 në protestë tek bashkia Tirane për të shpëtuar Tiranën nga kthetrat e bosit të organizatës kriminale ‘5D’.