Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i ka bërë sot një thirrje specifike, qytetarëve shqiptarë, thirrje e shkëputur nga fjalimi i tij i 18 qershorit 2024, në të cilën theksohet nevoja për të denoncuar çdo abuzim dhe shkelje ligji të kësaj qeverie.
Në video-mesazhin që lideri i opozitës e ka titulluar vetë "Opozita është shpresa e fundit për vendin", ai i drejtohet shqiptarëve me këto fjalë:
"Miqtë e mi! Çdo ditë njëherë dhe njëqind herë në ditë, duhet t’i përsërisni vetes se jeni shpresa e fundit e këtij vendi se jeni të vetmit që përballeni dhëmb për dhëmb, që denonconi çdo ditë të zezat e këtij regjimi ndaj qytetarëve shqiptarë.
Denonconi vjedhjet e pakufishme dhe të paimagjinueshme!
Denonconi lidhjet e tmerrshme me krimin që e shndërruan Shqipërinë në narkodiktaturë!
Denonconi dhunimin e lirive dhe të drejtave të shqiptarëve, kombi i vetëm sot me drejtësi të munguar!
Denonconi me të drejtë çmimet ndër më të lartat në Europë, ndërkohë që xhepat janë me të ardhura më të ulëtat në Europë!
Denonconi rrënimin e rrufeshëm të kulturës së kombit, institucioneve kulturore kombëtare si kurrë ndonjëherë në ekzistencën e tij të lirë!
Denonconi rrokullisjen e pakufishme të arsimit në Shqipëri, rënien në dhjetë vitet e rilindjes së zezë më të madhe në Europë dhe në botë, rënien me 62 pikë në sistemin e PISA-s!
Denonconi me të drejtë shpartallimin e sistemit të shëndetësisë!"