Gjatë fjalës së mbajtur në tubimin qytetar, kryedemokrati Sali Berisha ka rrezuar shifrat e turizmit të prezantuar nga Edi Rama dhe ministrat e tij.
‘Buxheti i shtetit fitoi vetëm 8 milionë euro! Turistët fjetën vetëm... gjysmë nate në vend’, tha kreu i PD-së në fjalën e tij.
Pjesë nga fjala e kreut të PD-së, Sali Berisha:
Më lejoni të jap shifrat, faktet.
Edi Rama dhe instituti i tij deklarojnë se në Shqipëri janë futur 10.1 milionë turistë në vitin 2023.
Nuk po e kundërshtoj, po e marr të vërtetë.
Po çfarë tregon instituti i tij? Instituti i tij thotë se në Shqipëri në vitin 2023 pati gjithsej në të gjithë shtretërit privatë të këtij vendi 6 milion net.
Pra, 10.1 milion fjetën në Shqipëri pak më shumë se gjysmë nate për person.
Miqtë e mi, statistika tregon se Mali i Zi në vitin 2023 pati 2.8 milionë turistë.
Por Mali i Zi pati 16.8 milionë net fjetje në vitin 2023. Mali i Zi pati rreth 8 net fjetje për një turistë.
A e imagjinoni ju o miq, gjysëm nate në Shqipëri, 8 net në Mal të Zi.
Kroacia pati në të njëjtin vit, 20.5 milionë turistë. Pati 105 milionë net fjetje. Pati mbi 5 net fjetje për një turist, kundrejt gjysëm nate në Shqipëri.
Kjo është shakaja e dheut. Ky është falsiteti dhe turpi i tyre.
Po të marrim anën tjetër. Banka e Shqipërisë deklaron se në vitin 2022, nga turizmi hynë në ekonomi 2.8 miliardë euro.
Prisni miq! Po sa pagoi turizmi TVSH në Shqipëri? Sa ishte TVSH-ja që përfituat nga të gjitha shitjet e shtretërve turistike?
Të gjitha shitjet ishin gjithsej 140 milionë euro.
Me TVSH 6 përqind, pa rimbursim të TVSH-së, buxheti i shtetit fitoi gjithsej 8 milionë euro.
A ka pra falsitet më të madh?
A ka mashtrim më të madh?
A e ndjeu ekonomia shqiptare këtë?
Për ta kuptuar se sa e ka ndjerë ekonomia, do u jap shifrat zyrtare.
Në vitin 2022, me 7 milionë turistë, rritja ekonomike ishte 4.48.
Në vitin 2023, me 10.1 milionë turistë, rritja ekonomike jo vetëm që nuk u rrit në 6 përqind, por zbriti në 3.4 përqind.
A e kuptoni ju falsitetin e tmerrshëm të turizmit kallp?
Të turizmit, të cilin ekonomia shqiptare nuk e ndjen se ekziston.
Të cilin qytetarët shqiptarë e gëzojnë me 8 milionë euro.