Mbahet sot seanca e radhës në Gjykatën Kushtetuese për taksën e profesioneve të lira. Gjykatësja Holta Zaçaj u la kohë palëve që të sjellin prova të reja, përgjigjet për pyetjet që u administruan në seancë dhe parashtrimet, ndërsa lajmëroi se konkluzionet përfundimtare do të jepen në seancën e sotme.
Brenda pak muajve nga hyrja në fuqi e tij, ligji është paditur katër herë, pasi për deputetët e opozitës, kontabilistët dhe juristët, shkel parimin e barazisë mes tatimpaguesve dhe cenon sigurinë juridike. Në seancën maratonë të 18 qershorit, trupa gjykuese mori në shqyrtim së bashku tri paditë e depozituara prej Grupit Parlamentar të PD-së, Dhomës së Avokatisë, IKM-së dhe IEKA-s.