Apeli I Posaçëm Antikorrupsion I konsideron zyrtarët e përfshirë në dosjen e inceneratorit të Tiranës si grup i strukturuar kriminal. Fakti evidentohet në vendimin e kësaj të premte të gjykatës së Posaçme të Apelit për Namik Simixhiun ku vetëm 1 muaj ka zgjatur masa e arrestit në shtëpi ndaj tij.
Apeli vendosi ta rikthejë në qeli përfaqësuesin e bashkisë në komisionin e dhënies së koncensionit së inceneratorit. Me vendim të GJKKO-së, Simixhiut i ishte ndryshuar masa në arrest shtëpie, por SPAK e ankimoi dhe kështu ai kthehet sërish në burg. “Namik Simixhiu është i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” kryer në bashkëpunim të veçantë në formën e grupit të strukturuar kriminal, sipas neneve 28, 248, 334 të Kodit Penal”, thuhet në vendimin e Apelit Antikorrupsion.
Syri Tv u interesua pranë SPAK I cili theksoi se ky është një qëndrim i gjyqtarit paraprak në Apel që do të vlerësohet por jo përcaktues në hetime, pasi do të shikohet edhe qëndrimi që do të mbajë gjykata në themelin e çështjes. Kujtojmë se disa ditë më parë, për një tjetër dosje, atë të “5D” Apeli i Posaçëm vërejti se bëhej fjalë për grup të strukturuar kriminal dhe i sugjeronte SPAK të hetonte në këtë drejtim.
Të paktën 15 masa janë lëshuar për inceneratorin e Tiranës, ku mes emrave janë Lefter Koka, Alqi Bllako, Taulant Tushe, Mirel Mërtiri, Klodian Zoto etj. Ndërkohë që ditët e fundit, flitet për një tjetër operacion dhe masa shtesë sigurie për një sërë zyrtarësh, deri në nivelet më të larta.