Kryeministri Albin Kurti ka publikuar investimet që janë bërë në Klinikën e Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka theksuar se ndonëse adresa e klinikës mbetet e njëjtë, Klinika e Onkologjisë është transformuar në një institucion modern dhe të pajisur me teknologjinë më të fundit.
Sipas Kurtit, klinika është pajisur me sistemin e teknologjisë së fundit laserik C-RAD, i cili është unik në rajon.
“Klinika ka sistemin e teknologjisë së fundit laserik C-RAD, i vetmi i teknologjisë së tillë në rajon, përmes së cilit ofrohet siguri maksimale gjatë rrezatimit të pacientëve që i nënshtrohen radioterapisë në këtë klinikë. Për herë të parë, klinika është pajisur me klimatizim dhe digjitalizim të shërbimeve”.
Kurti ka theksuar se kapaciteti i shtretërve në klinikë është rritur ndjeshëm.
“60 shtretërve modern së shpejti pritet t’i shtohen edhe 50 të tjerë për ta çuar në 110 numrin total të tyre, nga vetëm 45 sa ishin para dy muajve e për shumë vite rresht. Në të njëjtën kohë, po ofrohet falas vaksina HPV për sëmundjen e kancerit të qafës së mitrës dhe lista e barnave esenciale është zgjeruar për shkak se buxhetin për barna esenciale e kemi rritur për 150%. Klinikë pas klinike. Javën tjetër radhën e ka Klinika e Urologjisë”, ka shtuar Kurti.
Ndërkohë Shqipëria e Edi Ramës prej ditësh është tronditur nga një skandal që tregon gjendjen mizerabël ku gjendet Spitali Onkologjik.